LAJMET E MBRËMJES

Rasti “Banjska”, dëshmitari: Humba 30 për qind të dëgjimit nga zhurma e të shtënave dhe shpërthimet

Zyrtarët policorë Sedat Dushi e Fahri Shala, u paraqitën të premten si dëshmitarë në gjykim për sulmin terrorist në Banjskë. Tek shpalosi hollësi nga ngjarja e fundshtatorit të 2023-tës, Dushi tha se si pasojë e sulmit ka humbur 30 për qind të dëgjimit. E, Shala e kualifikoi përballjen me grupin e armatosur serb si sulm ushtarak të organizuar mirë

Pak orë para se të zbardhte dita e 24 shtatorit të 2023-tës, kur ndodhi sulmi i terrorist në Banjskë të Zveçanit, zyrtari policor Sedat Dushi ndodhej në krye të detyrës.

Si pasojë e zhurmave të forta nga të shtënat dhe shpërthimet që ndodhën atë natë, ai thotë se ka humbur rreth 30 për qind të dëgjimit.

E, krahas atyre fizike, Dushi tha gjatë dëshmisë në gjykimin ndaj të akuzuarve Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojevie e Vladimir Tolliq, se sulmi, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, i la gjurmë të thella edhe në mendje.

“Pas asaj kohe unë kam bërë kontrolle, kam kërkuar shërbime mjekësore në policinë e Kosovës dhe kam pasë terapi psikologjike dhe psikiatrike. Pas ekzaminimeve të bëra nga mjekët dhe raportet, unë kam pasur trauma dhe, gjithashtu, kam pasur pengesa me të dëgjuar dhe këtë e vërejta më së shumti kur gruaja dhe fëmijët më kërkonin diçka”, ka thënë ai.

Tek e përshkroi sulmin, Dushi tha se natën e sulmit, ndryshe prej herëve tjera, fshati i Banjskës ka qenë në errësirë, ndërsa në pjesën e urës pati ndriçim më të madh. E, kur të shtënat nisën, ai tha se pa edhe dron.

“E kam drejtuar armën dhe i kam thyer dritat. Më pas e kam vërejtur edhe një dritë të kuqe, që ishte dron, e më pas e kam marrë në shënjestër, dy-tri rafalë të shkurtra, por s’e kam goditur. E më pas droni është tërhequr në pjesën e Manastirit”, ka thënë Dushi.

Në gjykimin për sulmin e 2023-tës, dëshmoi të premten edhe zyrtari tjetër policor, Fahri Shala. Para trupit gjykues ai rrëfeu se si nga të shtënat e armëve mes policisë e sulmuesem nuk mund të kuptonte nëse rreshteri Bunjaku pati puls, pasi mori plagë.

“E kam vendosur dorën në qafë, anën e djathtë, me shiku a ka puls rreshteri, por për shkak të gjuajtjeve, krismave, nuk kam mundur me kuptu”, ka thënë Shala.

E, të shtënat me armë të lehta e të rënda të grupit të armatosur serb, Shala tha se janë drejtuar nga 20 lokacione. Sipas tij, grupi që e ndërmori sulmin në Banjskë ka qenë organizuar dhe i trajnuar mirë.

“Vetë fakti që është përzgjedhur ky fshat nga ky grup terrorist na bën me mendu që ka qenë grup mirë i organizuar, mirë i trajnuar dhe na bën me kuptu që është ushtruar nga grupet paraushtarake të Serbisë. Kemi kuptuar që ky njësit është mirë i trajnuar, si çdoherë kur kanë dashtë me lëvizë, i kanë përdorur gjuajtjet për lëvizje”, ka thënë ai.

Lidhur me sulmin e shtatorit të 2023-tës, Prokuroria Speciale ngriti në shtatorin e shkuar aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit dhe 43 personave të tjerë.

Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusnin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur, ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku, e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe 40 të akuzuarit e tjerë ka fletarrest ndërkombëtar, pasi ndodhen në arrati.

Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve - Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikolla Illiq dhe Vladan Illiq.

Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai, gjithashtu, dyshohet se ka gisht ne vrasjen e politikani opozitar serb, Oliver Ivanoviq, si dhe në frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnjë-Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet në Kosovës e kanë kualifikuar sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe e kanë akuzuar Serbinë se qëndron prapa tij.