Anëtarët e Komisionit parlamentar për Shëndetësi kërkuan nga institucionet që të merren me promovimin e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në shkolla, pas rastit të vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë. Për shkallën e dhunës tek të rinjtë, disa deputetë ia vunë fajin mentalitetit dominues në shoqëri, të tjerë shkollave e pati nga ta që problemin e pa te rrjetet sociale
Deputetë të Komisionit parlamentar për Shëndetësi kërkuan promovim dhe diskutim më të madh për shëndetin mendor, pas vrasjes së 18-vjeçarit në Podujevë nga bashkëmoshatarë të tij.
Kryetarja e Komisionit, Fatmire Kollçaku, ka shtruar nevojën që shkollat të monitorohen më shumë përkitazi me punën dhe prezencën e psikologëve. Ajo ka propozuar që për shëndetin mendor të organizohet tryezë e përbashkët mes ministrive përkatëse, duke përfshirë atë të Arsimit, Shëndetësisë e Drejtësisë.
“Duke qenë se ne e mbulojmë pjesën e mirëqenies, qendrat për punë sociale, megjithëse aspektin e shëndetit mendor, prezenca e psikologëve në shkolla, sa janë ata në të vërtetë në nivel të detyrës, sa është numri i tyre, a është ende shumë i mangët. Kjo kërkon një shqetësim të gjithë shoqërisë dhe neve si deputet që ne shumë seriozisht t’i qasemi kësaj problematike në aspektin e mbikëqyrjes”, ka thënë Kollçaku.
Pamjet e rrahjes për vdekje të 18-vjeçarit, të kapura nga kamerat e sigurisë, deputetët i cilësuan shqetësuese dhe makabre. Ata bënë thirrje për trajtim serioz të rasteve të tilla. Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar nga institucionet përkatëse të marrin përgjegjësi.
“Nuk duhet të heshtet, duhet të jetë zëri më i fuqishëm për të gjitha nivelet e përgjithësisë institucionale që janë, duke filluar nga edukimi prindëror deri te përgjithësia që ka të bëjë me sundimin e rendit dhe të ligjit dhe sidomos asaj pjese edukative shkollore dhe përgjegjësia që ne këtu e ushtrojmë drejtpërdrejtë në ministritë e linjës e që është Ministria e Shëndetësisë edhe Ministria e Drejtësisë”, ka thënë Zemaj.
E deputeti i LVV-së, Burim Meta, është shprehur se raste të tilla hedhin në sipërfaqe problemet e theksuara me shëndetin mendor.
“Akoma me e dhimbshme që këto akte makabre të marrjes së jetës po ndodhin tek adoleshentet tanë. Po të shohësh këto pamje tronditëse, vërejmë që kemi probleme të theksuara me shëndetin mendor. Shëndeti mendor, me të cilin ky komision është marrë që nga fillimi i punëve të saj dhe si duket nuk kemi finalizuar një projekt tonin të tillë”, ka thënë Meta.
Në komision është kërkuar që të merren masa konkrete në parandalimin e këtyre rasteve, dukë përfshirë edhe ashpërsimin e dënimeve.
Deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se duhet kontroll i shtuar edhe në rrjete sociale dhe ekspozimin e të rinjve në to.
“Mund të bëjmë ndonjë shtysë ose presion të këtij sektori që shkolla të luajë rol më të madh, po ashtu edhe ne kuptimin edukimit dhe kontrollit më të madh edhe të mediave të ndryshme sociale, të cilat shpesh herë përçojnë mesazhe të dëmshme, si në abuzim me mjete narkotike por në të njëjtën kohë promovimin e dhunës dhe asaj pjesës ku krijohen rinia zakonisht qëndrojë shumë nëpër rrjete sociale dhe krijohen grupet e ndryshme ku shpesh herë problemet lindin në rrjete sociale”, ka thënë Avdyli.
Ndërsa deputeti tjetër nga kjo parti, Mirsad Shkreta, ka thënë se shembuj të dhunës shpërfaqen edhe në kuvend.
“Ndiej keqardhje për rastin e ndodhur por nuk mund ta adresoj si dështim të trajtimit të shëndetit mendor sepse ky është shumë më multimedisional, është shumë më multifaktorial. Shoqëria jonë është e dhunshme fatkeqësisht. Vijmë nga një shoqëri e dhunshme dhe fenomene të dhunës. Ne kemi dhunë gjithandej. Ne kemi dhunë në kuvend, kështu që para se të gjykojmë dhunën gjithandej ne duhet të gjykojmë edhe vetën”, ka thënë Shkreta.
Përpos debatit për dhunën tek adoleshentët, nuk u mor ndonjë vendim nga ligjvënësit. Por, me 5 vota për dhe një kundër, Komisioni miratoi raportin përfundimtar për projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.