LAJMET E MBRËMJES

Rrënohet tarraca e restorantit në Drenas, pronari akuzon Lladrovcin se po i hakmerret për votë

Me asistencën e njësive policore, Inspektorati i Komunës së Drenasit ka nisur rrënimin e tarracës së një restoranti në pronësi të Selman Sinanit, babai i asamblistit të PDK-së, Arigon Sinani. Selmani tha se kjo është hakmarrje pasi djali i tij nuk e mbështeti propozimin e kryetarit Ramiz Lladrovci për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të një numri pronash komunale.

Njësitë policore kanë asistuar Inspektoratin e Komunës së Drenasit në aksionin për rrënimin e tarracës së një restoranti në pronësi të Selman Sinanit, babait të asamblistit të PDK-së, Arigon Sinani. 
Pronari pretendon se aksioni ishte paralajmëruar vite më parë nga kryetari Ramiz Lladrovci, nëse djali i tij nuk do ta mbështeste në Kuvendin Komunal. 
Si dëshmi për kërcënimin ka prezantuar edhe një SMS për të cilin tha se ia kishte dërguar Lladrovci.

“Pasha ni besë të Zotit kund vend nuk Ju la as derën prej 60 metrash nuk mundet me e çelë. Kjo çështje është në duart e tyre zgjedh e merre. Abelardit i kam thënë shko fole me ta edhe tregoju qe kur ta nisë bagerin mos hajdeni me më thënë aman nale”, shkruan në SMS-në që Sinani thotë se ia ka dërguar kryetari i Drenasit.

Aksioni përfshiu rrënimin e gjithë infrastrukturës përreth restorantit, deri te muret e objektit.

Vendimi për rrënim mban të njëjtën datë me mbledhjen e Asamblesë Komunale të Drenasit, 29 prill 2024, ku pati dështuar propozimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të një numri pronash komunale. Në mesin e asamblistëve që nuk i dhanë përkrahje Lladrovcit ishte edhe Arigon Sinani.

Pronari ka thënë se aksioni përbën hakmarrje politike.

“Më hakmarrje s’ka si të jetë ndryshe, më idiotizëm se çka po do të bëjë. Se unë e di, edhe unë familja ime se po të mundet hyn te shanku se jo te pragu i derës, të të izoloj, të t’i mohoj të gjitha të drejtat. Për çka, për ta treguar forcën e vet, pra jam unë ai që e rrënoj me ligj a pa ligj”, ka deklaruar Selman Sinani.

Sinani tha se Lladrovci fillimisht ka tentuar t’i joshë në këmbim të votës në asamble.

“Ka incizime që ka thënë çka të duash të jap, çka të duash të kompensoj vetëm eja dhe voto. Djali e ka pasur mendimin e vet, është i votuar prej popullit dhe ia ka marrë mendja që s’është ashtu”, ka treguar ai.

Në Komunën e Drenasit i thanë KOHËS se kryetari Lladrovci ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund t’u përgjigjet pretendimeve të pronarit.

As drejtori i Inspektoratit, Petrit Sinani, nuk pranoi të prononcohej, por tha se aksioni bazohet në një vendim gjykate që lejon rrënimin.

Pronari i lokalit insistoi se vendimi nuk është i plotfuqishëm, por tha se është marrë vetëm nga shkalla e parë dhe atë e kanë apeluar.

KOHA aktgjykimin e ka kërkuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, mirëpo gjatë ditës nuk i është ofruar.  

Bazuar në dokumente, Komuna e Drenasit e arsyeton aksionin me nevojën për realizimin e një projekti për parking.

Megjithatë, pronari pretendon se në projektin e publikuar më herët vija e fundit e ndërhyrjes ndalet te platoja dhe jo te muri i lokalit. Sipas tij, rrënimi u bë vetëm në pjesën e restorantit dhe jo në objektet e tjera brenda të të njëjtit kompleks.

Lladrovci ka fituar tri herë garën për kryetar të Drenasit si kandidat i PDK-së. Para zgjedhjeve të fundit lokale, kryesia e PDK-së vendosi për të mos e rikandiduar atë – nga 30 vota 26 ishin për Petrit Hajdarin dhe 4 për Lladrovcin. Si përgjigje ndaj “përjashtimit”, Lladrovci formoi subjekt të ri politik me emrin “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” (PDKRLl)”. Ai arriti të fitojë garën për kryetar të Drenasit pa balotazh në zgjedhjet e 12 tetorit të këtij viti.

Para dhe gjatë fushatës ka pas akuza ndaj Lladrovcit nga opozita dhe nga bashkëpartiakët e tij (PDK). Vetë kundërkandidati për kryetar Petrit Hajdari (PDK) ka thënë se Lladrovci është kampion i pazareve dhe abuzimeve me pronën publike.