LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja, Britania dhe Gjermania kërkojnë zgjidhje për konstiuimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë

Një ditë para tentimit të 13-të për konstituimin e Kuvendit, përfaqësues të shteteve aleate të Kosovës bënë thirrje që t’i jepet zgjidhje ngërçit politik. Në Ambasadën e SHBA-së thanë se Kosova duhet të bëhet me qeveri të qëndrueshme, në atë të Britanisë së Madhe theksuan nevojën për zgjidhje urgjente e në Ambasadën gjermane rikujtuan se mes vlerave evropiane është edhe gatishmëria për kompromise.

Përfaqësues të shteteve perëndimore me më ndikim në Kosovë, kanë bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje politike që rezulton me konstituimin e legjislaturës së re dhe formimin e Qeverisë.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka theksuar se Kosovës i duhet qeveri e qëndrueshme.
“Varet nga populli i Kosovës të përcaktojë se kush duhet ta përfaqësojë atë. Kosova është një vend sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e udhëheqjes politike të formojë një Kuvend dhe një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën”. 

Thirrje për t’i formuar urgjentisht institucionet, bëri edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, në një përgjigje të shkruar për KOHËN.

“Më shumë se tre muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një kuvend dhe një qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që udhëheqësit e tyre politikë të punojnë së bashku në interesin kombëtar”, tha Hargreaves. 

Edhe në Ambasadën e Gjermanisë shprehën pritjen që palët të diskutojnë dhe të gjejnë një zgjidhje funksionale.

“Kosova po humb kohë të çmuar çdo ditë. Dhe ne jemi plotësisht në përputhje me atë që tha ambasadori i BE-së Orav në fjalimin e tij në pritjen e djeshme të Ditës së Evropës: Vendet që duan të bëhen anëtare të BE-së duhet të vërtetojnë aftësinë e tyre për t’u angazhuar në dialog për të arritur kompromis. Kjo është punë e përditshme midis shteteve anëtare dhe duhet të zbatohet edhe brenda vendit midis partive politike”.

Ditë më parë, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, tha se Kuvendi është duke u bllokuar nga taktikat penguese dhe se qytetarët meritojnë politikanë që përpara politikave partiake vënë shtetin e Kosovës.

Të premten, për herë të 13-të me radhë, do të tentohet që të konstituohet përbërja e re e Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët, ndërsa pa kaluar kjo fazë nuk nis të rrjedhin as afatet për formimin e Qeverisë.