Vendosja e mbishkrimeve me përmbajtje provokuese ka vazhduar edhe të hënën nga qytetarë serbë në komunat veriore.
Një rast i tillë është shënuar të hënën në Komunën e Leposaviqit.
Mbrëmë, rreth orës 21:30, sipas Policisë së Kosovës është shoqëruar në stacion një vajzë e mitur e dyshuar për vendosjen e mbishkrimeve me përmbajtje nacionaliste në një objekt të pabanuar në Komunën e Leposaviqit.
Në raportin 24-orësh të Policisë, rasti është raportuar si nxitje e përçarjes dhe mosdurimit.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka treguar për përmbajtjen e mesazhit.
“Policët e kane pa një fëmijë, 14 vjeç që ka qenë duke shkruar diçka; ‘Kur ushtria kthehet në Kosovë’ apo diçka e tillë. Është intervistu. Është sjellë në stacion dhe pastaj është liruar sepse duhet të intervistohet në prani të prindit, qendrës për punë sociale. Por nuk është diçka për me u shqetësu”, tha Elshani.
Të hënën u shpërndanë fletushka me mbishkrimet ‘’Serbia nuk është lojë e askujt”, “Le të vendosë secili flamurin në dritare, mbi makina, në çdo vend ku Serbia jeton”.
Reagimi i serbëve u bë si shenjë hakmarrjeje pas heqjes së muraleve dhe fotografive të kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, dhe fshirjes së flamujve në veri nga institucionet e Kosovës.