LAJMET E MBRËMJES

Sorenseni ankohet për efektin e krizës politike në dialog e Kurti për mosmirënjohje nga ana e BE-së

“Jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si ta implementojmë Marrëveshjen e Ohrit, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Pas takimit me përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, ai është ankuar për efektin e krizës politike në procesin e dialogut

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, është pritur të mërkurën në Prishtinë nga përfaqësuesit më të lartë institucionalë e partiakë, me qëllimin për t’i dhënë shtytje procesit.

Pas takimit me liderët shtetërorë, ai ka thënë se dialogu është aktiv.

“Jam këtu për shkak të mandatit tim, për të diskutuar se si ta implementojmë Marrëveshjen e Ohrit, sepse situata politike këtu nënkupton që gjërat mund të marrin më shumë kohë. Kështu që ky është një takim i rregullt. Jam i lumtur që jam këtu”, ka thënë ai.

BE-ja i ka vënë masa Kosovës e edhe ka kritikuar Qeverinë vazhdimisht për veprimet në veriun e banuar kryesisht me serbë, që janë ndërmarrë në funksion të shtrirjes së autoritetit kushtetues të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se për Kosovën do të duhej të kishte mirënjohje më të madhe, nëse kihet parasysh fakti që prej dy vjetësh nuk është shënuar ndonjë incident mes shqiptarëve e serbëve që punojnë në katër komunat në veri.

Sipas Kurtit, emisarin e BE-së e ka informuar për të drejtat që gëzon komuniteti serb, përfshirë ulëset e rezervuara në Kosovë e që serbishtja është gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet.

“Në katër komunat veriore në Kosovë janë gjithsej 100 serbë të rinj të cilët janë punësuar pasi që kryetarët atje janë shqiptarë dhe kryetarët shqiptarë në komunat në veri e kanë nënkryetarin serb dhe kanë drejtorë serbë. Unë kërkova që të ketë një mirënjohje më të madhe për shtetin e Kosovës, sepse nuk ka asnjë inicident midis punëtorëve shqiptarë dhe punëtorëve serbë në katër komunat në veri. Pra më shumë se 2 vjet që punojnë bashkë serbët dhe shqiptarët në veri asnjë inicident”, ka deklaruar ai.

Kryeministri në detyrë ka përmendur edhe hapjen e bizneseve të reja në veri e punësimin e rreth 800 serbëve përmes programeve qeveritare.

“Çfarëdo që po bëjmë ne është në funksion të integrimit të serbëve dhe nuk është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit apo Aneksit zbatues të Ohrit, por përkundrazi në përputhje me to. Pra, ajo çka bëjmë ne edhe nuk është shkelje e marrëveshjes, edhe është në përputhje me to, por e kundërta vlen për Serbinë, e cila nuk e respekton marrëveshjes dhe e shkel atë”, ka thënë Kurti.

E takimin e parë në Prishtinë emisari i BE-së e ka realizuar me presidenten Vjosa Osmani.

Në një njoftim të Presidencës është bërë e ditur se krahas kërkesës për heqjen e masave nga BE-ja, Osmani ka shprehur brengën edhe për arrestimet që Serbia po ua bën shtetasve të Kosovës.

“Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë, duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, thuhet se presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës dhe ka theksuar nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian. “Ndërlidhur me dialogun, presidentja Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sorenseni është takuar edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Edhe ai ka shprehur shqetësimin për arrestimet, ndërkaq tek ka folur për rifillimin e dialogut, ka thënë se kjo duhet të ndodhë tek pas konstituimit të institucioneve të reja.

“Vetëm atëherë procesi i dialogut mund dhe duhet të marrë drejtimin e duhur, përmes një qasjeje të drejtë, të koordinuar dhe me njohjen reciproke në qendër të marrëveshjes përfundimtare”, ka shkruar kryetari Krasniqi në Facebook.

Vizita e së mërkurës është e treta e Sorensenit në Kosovë që nga emërimi i tij në janar si përfaqësues i posaçëm për dialogun me Serbinë.

Fillimisht pati vizituar Kosovën në mars e më pas edhe në prill të këtij viti.