Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë reaguar ndaj Avokatit të Popullit, institucion që në prezantimin e raportit të Komitetit i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit ka thënë se janë identifikuar shkelje serioze të të drejtave të të akuzuarve në Speciale. Gjykata me seli në Hagë ka theksuar se raporti nuk ka gjetur shkelje të të drejtave të të pandehurve
Gjykata Speciale ka reaguar ndaj Avokatit të Popullit duke thënë se ky institucion e ka keqinterpretuar raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.
Në reagimin e saj, Specialja ka theksuar se raporti që e ka porositur Avokati i Popullit në Kosovë, nuk tregon shkelje të të drejtave të të akuzuarve në rastin më të madh të Speciales.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në kundërshtim me deklaratat publike të Avokatit të Popullit në Kosovë, Komiteti i të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit nuk ka konstatuar se ndonjë prej vendimeve të gjykatësve të Dhomave të Specializuara ka shkelur të drejtat e njeriut të të akuzuarve. Po ashtu, raporti nuk arrin në përfundimin se jurisprudenca e Dhomave të Specializuara shkel apo bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në reagimin e Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.
Në raport është theksuar se ka pengesa strukturore për lirimin e të pandehurve dhe se një paraburgim çfarë po e vuajnë të akuzuarit, në këtë rast Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, me mundësi shumë të ulët për lirim gjatë gjykimit, ngre shqetësime sa i përket respektimit të së drejtës për liri dhe siguri që parashihen në Konventën Evropian për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën për Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.
E avokati i popullit, Naim Qelaj, duke iu referuar raportit, ka deklaruar se ai “evidenton shqetësime serioze për zgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale me mbrojtjen”.
Por, Specialja ka vlerësuar se Avokati i Popullit në Kosovë ka keqinterpretuar raportin edhe për çështjen e paraburgimit.
Në raportin e Komitetit të të Drejtave të Njeriut i Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit gjithashtu nuk konstatohet asnjë shkelje e konventave të të drejtave të njeriut në vendimet në lidhje me paraburgimin”, thuhet në reagimin e Speciales.
Derisa raporti i Bar Human Rights Committee of England and Ëales dhe Avokati i Popullit kanë kritikuar Specialen se i ka trajtuar si neutrale provat e marra nga institucionet e Serbisë, Specialja nuk i është përgjigjur këtij pretendimi në reagimin e saj.
Sipas konkluzioneve të Odës së Avokatëve britanikë raporti nuk konkludon se DHSK-ja ka dështuar në misionin e saj, por as se çdo gjë është në rregull”, derisa është theksuar nevoja për krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm monitorimi të gjykimeve.
Gjykata që është duke e përpiluar aktgjykimin për rastin e saj më të madh, ka aluduar se Avokati i Popullit është treguar i anshëm duke i favorizuar e riprodhuar argumentet e mbrojtjes në kontrast me ato të prokurorisë e Mbrojtësit të Viktimave.
Për këtë çështje KOHA nuk ka mundur të marrë përgjigje gjatë ditës nga institucioni i Avokatit të Popullit.