LAJMET E MBRËMJES

Specialja ua vazhdon paraburgimin Thaçit, Kilajt, Fazliut dhe Smakajt

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë vendosur për vazhdim të paraburgimit ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt. Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë, e Thaçi edhe për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Në vendimet e gjykatës, si arsye kryesore për vazhdim të paraburgimit përmendet mundësia e arratisjes

Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt u është vazhduar masa e paraburgimit nga Gjykata Speciale në Hagë. 

Ata akuzohen për veprën penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Në katër vendimet e publikuara të hënën, nga gjyqtarja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Marjorie Masselot, janë dhënë edhe arsyet, e kryesorja është mundësia e arratisjes nëse lihen të lirë.

“Në lidhje me rrezikun e arratisjes sipas nenit 41 të Ligjit, Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstaton se të gjitha arsyetimet e përmendura në Vendimin e Dytë të Rishikimit mbeten të vlefshme. Këtu përfshihen: rëndësia e veprave penale, për të cilat z. Thaçi akuzohet dhe dënimi i mundshëm në rast fajësie; qëllimet jo të mira të z. Thaçi ndaj ligjeve dhe rregullave të Dhomave të Specializuara; mjetet dhe mundësitë që ai i ka për t’u arratisur, pavarësisht se është në paraburgim për rastin 06. Gjykatësi,  gjithashtu, shton se z. Thaçi po fiton njohuri gjithnjë e më të mëdha për provat ndaj tij, përmes procesit të vazhdueshëm të zbulimit të materialeve dhe duke i udhëzuar të tjerët, por dhe duke u treguar atyre se si të ndikojnë në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve”, thuhet në vendimin për Thaçin.

Edhe në tri vendimet e tjera përmendet rreziku i arratisjes, e po ashtu, edhe mundësia e pengimit të procesit.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, sipas vendimeve, nuk është bindur me garancinë prej 30 mijë eurosh, që është thënë se do të paguhet nga familjarë të Smakajt, e as me 40 mijë eurot, pastaj raportimet e shpeshta në Polici dhe kufizimet në komunikim e lëvizje të ofruara si garanci për lirimin me kusht të Isni Kilajt.

Ndaj Thaçit ky është gjykimi i dytë në Hagë. Ai po gjykohet edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndaj Smakajt, ish-këshilltar i Thaçit, Kilajt, ish-kryetar i Malishevës dhe Fazliut, veteran i luftës së UÇK-së, është ngritur aktakuzë për pengim të administrimit të drejtësisë së Speciales, lidhur me rastin e madh, ku pos Thaçit, të akuzuar janë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.