LAJMET E MBRËMJES

Sveçla i kërkon Serbisë t’ia dorëzojë Kosovës 6 sulmuesit serbë të plagosur

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka kërkuar Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës gjashtë sulmues serbë të cilët, sipas tij, po trajtohen në spitalin e Novi-Pazarit pas plagosjes të dielën në Banjskë të Zveçanit. Në konferencën e mbajtur në kampin “Belvedere” në Mitrovicë, ku u ekspozua shumë armatim e municione të sekuestruara, Sveçla deklaroi se janë gjetur dokumente që dëshmojnë përfshirjen e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, në sulmet ndaj policisë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku

Të paktën 6 persona që sulmuan Policinë e Kosovës po trajtohen në spitalin e Novi-Pazarit pas plagosjes në luftime me Policinë e Kosovës, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai, gjatë prezantimit të armatimit që u sekuestrua në Banjskë të Zveçanit, kërkoi nga autoritetet serbe që sulmuesit t’u dorëzohen institucioneve të drejtësisë në vend, në mënyrë që të përgjigjen për, siç tha, aktet terroriste.

“Sipas informatave deri më tanishme 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe kërkojmë nga Serbia që ata t’i dorëzojë menjëherë tek autoritet e Kosovës që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste. Po ashtu, edhe çfarë do pjesëtari të këtij grupi që ka arritur të ikë në Serbi kërkojmë nga Serbia që ta dorëzojë”, tha Sveçla.

Kjo veturë e kamufluar si e KFOR-it, sipas Sveçlës, është e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq. Vetura dhe dokumente të tjera në emër të tij, sipas Sveçlës, çojnë te konstatimi se i përfshirë në sulmin ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku është edhe Radojçiqi.

“Në këto materiale po ashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit që po ashtu është edhe në Listën e Zezë të SHBA-ve Milan Radojçiq. Dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radoiçiqit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, u shpreh Sveçla.

Ai tha se brenda objektit të Manastirit të Banjskës dhe nëpër vetura janë gjetur harta e plane të cilat, siç tha, dëshmojnë për organizimin e gjatë për këtë sulm.

Me aksionin e Policisë në Banjskë ai tha se është parandaluar një përshkallëzim ekstrem i situatës.

“Plani i tyre për të përshkallëzuar situatën ka dështuar. Së paku janë 3 të vrarë, të gjithë me uniforma e me pajisje ushtarake, e janë arrestuar 2 të tjerë, e 4 që kanë qenë në rolin mbështetës në këtë aktivtet. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i plagosur, e atij i është dhënë ndihma e parë, e edhe në Spitalin e Mitrovicës dhe në QKUK””, tha Sveçla.

Sveçla ka falënderuar për bashkëpunim KFOR-in, EULEX-in dhe Agjencinë e Inteligjencës, gjatë konferencës në kampin “Belvedere” në Mitrovicë, ku u shpalosën llojet e shumta të armëve e të municionit, si dhe pajisje të ndryshme për luftime të sekuestruara në fshatin Banjskë.

Gjatë sulmeve të së dielës të grupit të armatosur serb mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërkohë u lënduan dy të tjerë.