LAJMET E MBRËMJES

Sveçla: Po shtohen dëshmitë për lidhjet e Serbisë me sulmuesit në Banjskë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi të mërkurën se njëri nga tre sulmuesit e armatosur serbë, të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, është truprojë e shefit të Agjencisë së Inteligjencës e Sigurisë së Serbisë, Aleksandar Vulin. Ai e publikoi edhe një dokument të ushtrisë serbe, që u gjet gjatë kontrolleve të Policisë e që, sipas tij, u është lëshuar sulmuesve me rastin e dorëzimit të lansuesit për granata. E të gjitha këto, Sveçla i kualifikoi si dëshmi për lidhjet e sulmuesve me shtetin e Serbisë

Njëri prej tre sulmuesve të armatosur serbë, të vrarë gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, është truprojë e shefit të Agjencisë së Inteligjencës e Sigurisë në Serbi, Aleksandar Vullin, njoftoi të mërkurën ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Tek e publikoi në Facebook fotografinë e Bojan Mijailoviqit, për të cilin theksoi se ishte truprojë i Vulinit gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë më 2013, Sveçla shkroi se kjo dëshmon që shteti i Serbisë është i përfshirë në sulmin e së dielës ndaj Policisë së Kosovës.

“Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist, me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale dhe strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiqit në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe truproja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta, po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-së. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë”, ka thënë Sveçla.

Pas kësaj, Sveçla e publikoi edhe një dokument të ushtrisë serbe që u gjet gjatë kontrolleve në Banjskë e që, sipas tij, iu dha sulmuesve të armatosur me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave. Këtë dokument, ai e kualifikoi si një dëshmi më shumë për lidhjet e sulmuesve me Beogradin zyrtar.

“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë ia ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, ka shtuar Sveçla.

Një ditë më parë, Sveçla publikoi edhe pamjet nga droni prej Manastirit të Banjskës, në të cilat nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, shihet i uniformuar bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit të armatosur.

E këshilltarja e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Rada Trajkoviq, theksoi se Radojçiqi u nxor nga Banjska prej një “dore misterioze”, e cila, sipas saj, “ka fuqi si mbi palën serbe, ashtu edhe atë shqiptare”.

“Askush të mos pyet se si Milan Radojçiqi shpëtoi në çdo situatë, nga tentimi për arrestim lidhur me vrasjen e Oliverit, deri tek incidenti i fundit në Banjskë, dhe u nxor nga telashi nga një dorë misterioze që ka fuqi si mbi palën serbe ashtu edhe shqiptare. Dhe serbët, duke qenë serbë, edhe një herë e kthejnë një disfatë të vërtetë strategjike në një fitore ‘qiellore’ dhe nga lotët për viktimat nuk mund ta shohin të vërtetën: sot jemi në një situatë dhe pozitë shumë më të keqe negociuese se që ishim më parë”, ka thënë Trajkoviq.

Të dielën, si pasojë e sulmit në Banjskë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Lidhur me rastin, deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Prej tyre, katër janë liruar në mungesë provash, ndërsa disa sulmues të tjerë kanë ikur e thuhet se po trajtohen në spitalet e Serbisë.