Mitrovica e Jugut dhe ajo e Veriut janë lidhur të mërkurën edhe me një urë të re për këmbësorë. Në hapjen e saj, qytetarët janë shprehën të kënaqur me ndërtimin ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se me vënien në funksion të kësaj ure do të rritet qarkullimi mes qytetarëve që jetojnë në të dy anët e lumit Ibër
Vetëm pak minuta para përurimit, punime të fundit po kryheshin në urën e re të këmbësorëve mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Disa prej punëtorëve saldonin mbrojtëset anësore ndërsa të tjerët u morën me rregullimin e ndriçimit.
Derisa këto punë qenë në zhvillim, hyrje-daljet në urë u ndaluan nga Policia. Përveç prej qytetarëve, terreni monitorohej nga zona më lart edhe prej pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.
E ata qytetarët që e patën mundësinë ta vizitojnë urën para përurimit, u shprehën të kënaqur me ndërtimin e saj.
“Shumë vendim i mirë ndërtimi i kësaj ure. Ka qenë e nevojshme, vijmë këtu, është pazari në këtë anë, mund të vinë edhe prej andej”, u shpreh qytetari i Mitrovicës, Hamdi Gjosha.
E banori tjetër, Rexhep Braimi, thotë se me urën e re sigurohen lehtësira për qytetarët e kësaj komune.
“Përpara kam banuar në atë pjesë, andej në veri, tash banoj këtej poshtë në jug. Dikur nuk kemi mundur të dalim në asnjërën anë, tash e kemi mundësinë, pse jo. Janë të nevojshme të dyja, 10 me qenë janë të nevojshme”, është shprehur ai.
Krahas qytetarëve vendas të Mitrovicës, për ceremoninë hapëse të urës të pranishëm ishin edhe disa mërgimtarë.
Musa Gashi, i cili jeton në Holandë, udhëtoi në Mitrovicë nga vendlindja e tij në Pejë.
“Besoj që është e nevojshme. Çdo urë është e mirëseardhur që i lidhin popujt, nuk bëjnë ndasi. Është një komunikim ose lëvizje më e mirë për çdo popull”, theksoi ai.
E kur gjithçka u bë gati që ura të vihet në funksion, aty mbërritën edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetari i Mitrovicës, Faton Peci si dhe disa ministra të Qeverisë në detyrë.
Kurti e kualifikoi hapjen e urës si ditë të rëndësishme për qytetarët e të dyja anëve të Ibrit.
“Pas urës për automjete, do ta kenë edhe urën për këmbësorë në mënyrë që të rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mitrovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për Republikën tonë”, është shprehur ai.
Kryetari i Mitrovicës, Peci, ia atribuoi Kurtit meritat për urën.
“Përfundimisht Mitrovica po merr drejtimin e duhur dhe urat që kanë mision dhe janë sinonim i bashkimit më në fund po marrin kahen dhe drejtimin e duhur. Kjo është realizuar falë angazhimit, përkushtimit dhe qëndrueshmërisë së kryeministrit Kurti”, tha ai.
E ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, e quajti urën edhe vepër arti.
“Sot këtu po shënojmë hapjen edhe të një vepre që është edhe hidraulike edhe artistike, jo vetëm thjeshtë një urë për këmbësorë, një vepër arti që do të madhështojë këtë hapësirë mbi lumin Ibër”, u shpreh Durmishi.
Në gusht, Qeveria pati hapur për qarkullim të automjeteve një urë tjetër përtej asaj qendrore të Ibrit, e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun me shumicë serbe. Ajo ka mbetur në mes dhe e pashfrytëzuar për qëllimin që ta lidhë jugun me veriun.
Për këtë shkak, disa qytetarë të Mitrovicës e kritikuan Bashkimi Evropian (BE) që ende nuk po e hap plotësisht urën qendrore.
“Ky nuk është vendim i mirë i BE-së, për shkak se ata kanë investuar dhe kanë tentuar ta bllokojnë këtë pjesë. Ky investim që u bë sot këtu është bërë plot me mend”, tha qytetari Rexhep Braimi.
E për kryeministrin, dy urat e ndërtuara gjatë qeverisjes e tij nuk janë të mjaftueshme ndërsa u zotua që të angazhohet edhe që ura qendrore të hapet.
“E vetmja urë, e cila ka persona të unifomruar sipër saj tërë kohën, është ajo ura kryesore mbi Ibër. Besoj që nuk ka nevojë që aty të jenë pjesëtarët e KFOR-it”, tha ai.
Ura kryesore mbi lumin Ibër u mbyll në vitin 1999 dhe që atëherë asnjëherë nuk është kthyer në funksionin e saj të plotë. Që nga viti 2011, ajo u hap për këmbësorë porse jo edhe për automjete - të vetmet që kalojnë mbi të janë veturat e KFOR-it.