LAJMET E MBRËMJES

“Vetëvrasje” në stacion policor. IPK-ja e rekomandon suspendimin e tre policëve

Derisa ndodhej në dhomën e mbajtjes në Stacionin Policor të Suharekës, një person ka vdekur të premten. Sipas Policisë dhe Prokurorisë, ai dyshohet se ka bërë vetëvrasje. Por Inspektorati Policor e ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve të Policisë, për të cilët është shprehur dyshimi për neglizhencë në përmbushjen e detyrave zyrtare

Një person dyshohet se ka kryer vetëvrasje mëngjesin e së premtes derisa ndodhej në Stacionin Policor në Suharekë.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili ka thënë se masa e ndalimit ndaj tij është vendosur të enjten.

“Ne, në orët e hershme të mëngjesit, e kemi marrë informatën prej Policisë që një person në qendrën e ndalimit në Suharekë dyshohet që ka kryer vetëvrasje. Ka të bëjë me një person, të cilin prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm mbrëmë e ka ndaluar për vepër penale të ‘Dhunës në familje’, që dyshohet që ka ushtruar dhunë në familje ndaj vajzës së tij”, ka theksuar ai.

Për çështje që lidhen me këtë rast, Inspektorati Policor (IPK) e ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë.

“Kjo kërkesë për suspendim të përkohshëm dhe në interes të hetimit, mbështetet në rrethanat e krijuara nga vdekja tragjike e një të ndaluari si i dyshuar për një rast të dhunës në familje e i cili, sipas të dhënave dhe hetimeve preliminare, dyshohet se është vetëngufatur brenda dhomës së ndalimit në stacion policor”, është bërë e ditur në njoftimin e IPK-së.

Sipas Inspektoratit, tre zyrtarët policor dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre mund të kenë treguar neglizhencë në përmbushjen e detyrave zyrtare, veçanërisht në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar.

Në IPK kanë bërë të ditur po ashtu se do të vazhdojnë veprimet hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të rastit.