Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shprehur drojën se me gjithë përmirësimin e kushteve të punës e rritjen e pagave do të vazhdojë ikja e mjekëve. Në raportimin para Komisionit për Shëndetësi, Vitia u përball me kritikat e opozitës lidhur me ofrimin e shërbimeve, si dhe mosfunksionalizimin e sistemit informativ shëndetësor
Me gjithë përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, shprehu drojën se do të vazhdojë ritmi i ikjes së mjekëve nga Kosova.
Ai e quajti migrimin të pashmangshëm, tek u pyet nga deputetët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nëse ka një strategji për të ndalur largimin e mjekëve dhe specializantëve.
“Një gjë e kam vërejtur është që ky migrim është i pashmangshëm, po vazhdon edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por po vazhdon edhe në vende si Gjermania duke ikur në Zvicër dhe ky është një fenomen që, pavarësisht të gjitha masave që i kemi marrë në përmirësimin e rrogave, shtesave, kushteve, pajisjeve, kam drojën që do të vazhdojë. Ideja është që ne duhet të bëjmë planifikime duke u bazuar edhe në këtë drejtim”, ka thënë Vitia.
Tek i prezantoi planet për 2024-n, Vitia paralajmëroi hartimin e Projektligjit për shëndetësi, për sigurime shëndetësore, për shëndetin mendor dhe atë për kontrollin e duhanit.
Por u kundërshtua nga deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, lidhur me shërbimet shëndetësore e sistemin informativ shëndetësor.
“Renovime, renovime, renovime por shërbime jo, jo rritje të shërbimeve… Vitin e kaluar lista e pritjes në kardiologji ka qenë 1 mijë 680 pacientë, këtë vit numri i koronografive është rritur për afro 1 mijë. Si është e mundur që ende të vazhdojë të jetë lista e pritjes 1 vit. A ka rritje të sëmundshmërisë apo ka raportim të rrejshëm, njëra është… SISh-i problem kyç, i filluar në 2006, a jeni duke e vazhduar programin e njëjtë me..., apo keni vendos ta bëni një SISh të ri? Janë derdhur miliona euro brenda këtyre 18 vjetëve në SISh prej vitit 2006 dhe SISh nuk kemi, kur?”, ka thënë Haxhiu.
Vitia tha se ngecja dhe mosfunksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor ka ardhur si pasojë e mungesës së një analize të mirëfilltë, për çka shtoi se po punohet vazhdimisht në këtë proces.
“Sa i përket Sistemit Informativ Shëndetësor, zotëri Haxhiu ke plot të drejtë. Ju thatë se që nga viti 2006 janë harxhuar me miliona euro dhe nuk kemi pasur përfundimin për të pasur një Sistem Informativ Shëndetësor pavarësisht shumë viteve të kaluara dhe shumë investimeve të bëra më aspektin material. Kjo po besoj që ka ndodhur për shkak të mungese të një analize”, ka thënë Vitia.
Vitia theksoi se Sistemi Informativ Shëndetësor, hartimi i protokollove klinike, parapërgatitjet dhe matjet për sistemin e sigurimeve shëndetësore janë në proces funksionalizimi.