Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e Unionit ka bërë thirrje të mërkurën për “ribashkimin e Evropës” nëpërmjet përfshirjes në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Ukrainës dhe Moldavisë.
Ajo ka thënë se ideja e Evropës së lirë, të fortë dhe të pavarur e nënkupton një Evropë të bashkuar, në të cilën Perëndimi dhe Lindja bëhen bashkë.
“Për këtë arsye po i sjellim vendet e ardhshme anëtare më afër Unionit. Duke investuar, duke mbështetur reformat, duke i integruar në tregun unik. Ne duhet ta mbajmë këtë shpejtësi përmes procesit të bazuar në merita”, ka thënë Von der Leyen. “Sepse vetëm një Evropë e bashkuar dhe e ribashkuar mund të jetë një Evropë e pavarur. Një Union më i madh dhe më i fortë është një garantues i sigurisë për të gjithë ne. Sepse për Ukrainën, për Moldavinë dhe për Ballkanin Perëndimor, e ardhmja e tyre është në Union. Ta bëjmë të mundur që ribashkimi i ardhshëm i Evropës të ndodhë”.
Fjalimin e saj Von der Leyeni e ka fokusuar më së shumti në thirrjet për paqe dhe siguri, për forcimin e Evropës në mënyrë që të jetë në gjendje që ta marrë fatin në duart e saj. Ajo ka bërë thirrje që BE-ja të jetë më e bashkuar dhe më e vendosur në përballje me kërcënimet që paraqet Rusia. Von der Leyeni ka paralajmëruar gjithashtu se mjetet e ngrira të Rusisë do të përdoren për ndihmë Ukrainës.
Ky ka qenë fjalimi i saj i parë për gjendjen e Unionit prejse e ka nisur mandatin e dytë në krye të Komisionit Evropian (KE).