LAJMET E MBRËMJES

LVV-ja e çon në Supreme ankesën ndaj vendimit të PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe

Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar të martën në Gjykatë Supreme ankesën ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me të cilin e ka obliguar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) për ta certifikuar Listën Serbe si subjekt politik pjesëmarrës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në LVV e kanë quajtur vendimin e PZAP-së të padrejtë dhe manipulues, teksa kanë pretenduar se Lista Serbe ka paraqitur të dhëna jo të plota dhe të rreme gjatë procesit të certifikimit

Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka paraqitur të martën ankesë pranë Gjykatës Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me të cilin Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) është obliguar që ta bëjë certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjen lokale të 12 tetorit.

PZAP-ja ka marrë vendim të dielën në favor të subjektit politik që i përfaqëson serbët e Kosovës dhe që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, duke e aprovuar ankesën e saj dhe duke e anuluar vendimin e 21 gushtit të KQZ-së për refuzimin e certifikimit, shkaku i vlerësimit se disa nga kandidatët e saj nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.

Këtë vendim të PZAP-së, në LVV e kanë quajtur veprim skandaloz dhe për këtë dy anëtarët e kësaj partie në KQZ-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, kanë adresuar ankesë në Supreme.

“Bazuar në nenin 63 par. 1, 3, 4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, anëtarët e KQZ-së kanë të drejtën ekskluzive ligjore të votojnë për çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Tutje, në rastin konkret, neni 17 i LZP-së përcakton shqyrtimin e aplikimeve për certifikim. Konkretisht paragrafi 4 i këtij neni jep të drejtë anëtarëve të KQZ-së që të miratojnë apo të refuzojnë certifikimin e një subjekti politik. Anëtarët e KQZ-së kanë zbatuar nenet përkatëse të cilat i japin diskrecion të plotë lidhur me votimin për apo kundër një certifikimi të një subjekti politik”, është thënë në ankesën e LVV-së.

Në arsyetimin e PZAP-së për vendimin e marrë është thënë se vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe se nuk është dëshmuar bindshëm se kandidatët e Listës Serbe bien në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Por në LVV këtë konstatim të PZAP-së e kanë kualifikuar të pasaktë dhe manipulues, duke pretenduar se Lista Serbe ka paraqitur të dhëna jo të plota si dhe të rreme në procesin e certifikimit.

“Konstatimi i subjektit politik LS se ‘Në këtë rast, subjekti politik Lista Serbe, dhe të gjithë kandidatët e tij kanë përmbushur të gjitha kërkesat e përcaktuara me Ligj dhe Kushtetutë [...]’ (Vendimi i PZAP nr. 3/2025, f. 4) është i pasaktë, i pavërtetë dhe manipulues. Jo të gjithë kandidatët e vendosur në listat e subjektit politik për asamble komunale dhe kryetar komune, ashtu siç do të dëshmohet me fakte ‘kanë përmbushur të gjitha kërkesat e përcaktuara me Ligj dhe Kushtetutë’. Subjekti politik LS qëllimisht ka mashtruar Zyrën, duke paraqitur të dhëna jo të plota, në rastin më të keq dhe kështu është, të dhëna të rrejshme, me qëllim mashtrimi”, thuhet në ankesë.

Vendimi i 21 gushtit i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe nga Bashkimi Evropian (BE), të cilat u kanë adresuar thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike që të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.

Lista Serbe ka marrë vendim që të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi që i ka bojkotuar ato të mëparshmet, në atë që ka ndikuar që në krye të katër komunave veriore të banuara kryesisht me serbë të zgjidhen kryetarë shqiptarë.