Dëshmitari i dytë i propozuar nga mbrojtja e Hashim Thaçit, Paul Williams, e ka përmbyllur të enjten dëshminë në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara. Në ditën e fundit të dëshmisë së tij, ai ka thënë se ish-presidenti Thaçi ka shkuar në Kosovë gjatë negociatave të Rambouilletit për ta marrë pëlqimin e komandantëve të zonave për nënshkrimin e Marrëveshjes
Hashim Thaçi ka qenë nën presionin e komandantëve lokalë dhe të udhëheqësit të Zyrës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Prishtinë, Adem Demaçi, ka thënë të enjten ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambouillet, Paul Williams, në përmbylljen e dëshmisë dyditore në rastin më të madh të Gjykatës Speciale.
Në gjykimin për krime lufte, Prokuroria e Dhomave të Specializuara pretendon se udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së kanë pasur kontroll efektiv mbi zonat operative dhe komandat lokale, përderisa mbrojtja e ish-presidentit Thaçi, e ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe e ish-deputetit, Rexhep Selimi, e mohon një gjë të tillë, me arsyetimin se UÇK-ja ka qenë guerile pa zinxhir komandues.
Gjatë dëshmisë së të enjtes, Williamsi ka theksuar se në shkurtin e vitit 1999 Thaçi nuk ka mundur ta nënshkruante marrëveshjen në Rambouille si pasojë e presionit dhe se e ka pasur të domosdoshme që ta realizojë një takim me Demaçin.
“Kishte presion të jashtëzakonshëm nga komandantët lokalë dhe kishte gjithashtu edhe presion ideologjik dhe kulturor nga Adem Demaçi”, ka thënë Williams.
Dëshmitari ka theksuar se Thaçi nuk ia ka thënë këtë porse përfundimin e ka nxjerrë nga përvoja e tij, bazuar në të cilën “kur negociatori nuk e ka autorizimin për të nënshkruar, ai nuk e shpalos këtë si problem, por përmend arsye të tjera”.
Williams, i cili e ka këshilluar ekipin e Kosovës edhe në negociatat e Vjenës, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara se në kohën kur po negociohej Marrëveshja e Rambouilletit, Thaçi e ka humbur mundësinë për ta takuar kongresistin Bob Dole, pasi që i është dashur që të kthehej në Kosovë për ta marrë miratimin e komandantëve për nënshkrimin e Marrëveshjes.
“Jua them me siguri që ai ka shkuar në terren për të mbledhur nënshkrimet e komandantëve të zonave. Paralelisht me këtë kishte kosto të caktuar politike sa i përket marrëdhënies me Bob Dolen, sepse ai ishte në terren. Pra, ai ishte në terren dhe nuk e kishte të mundur që të takohej me senatorin Bob Dole dhe kjo pati një kosto domethënëse politike, ndërkohë që unë u sigurova që ai ishte në terren, ishte duke u takuar me komandantët e zonave”, ka thënë Williams.
Informatën se Thaçi i ka mbledhur nënshkrimet e komandantëve të zonave në terren, dëshmitari ka thënë se e ka marrë nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara.
E i pyetur nga gjyqtari Guenael Mettraux, nëse ka mundur që t’i konfirmonte informatat e dorës së dytë apo të tretë me burime të tjera, dëshmitari Williams ka theksuar se nuk ia ka dalë që ta bëjë këtë.
Williams është dëshmitari i dytë i mbrojtjes, pas ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili e ka përmbyllur dëshminë e tij të mërkurën.