Ish-këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, James Rubin, e përmbylli të mërkurën dëshminë e tij në rastin më të madh të Speciales. Ai theksoi se sa ka qëndruar në Kosovë, gjatë luftës, nuk ka parë asnjëherë ndonjë shtab, batalion apo njësi të UÇK-së. E pas tij, dëshminë e nisi këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës në Rambuje, Paul Williams. Ai, si dëshmitar i mbrojtjes, foli për kohën e negociatave teksa për ish-presidentin Hashim Thaçi tha të mos ketë qenë në pozicion për të marrë vetë vendime në emër të UÇK-së
Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, ka thënë të mos e ketë parë Hashim Thaçin si udhëheqës në këto bisedime. Williams, i cili të martën ka nisur dëshminë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin e gjykimit të drejtuesve të UÇK-së, ka thënë se Thaçi kontrollohej nga jashtë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në periudhën e luftës.
“Krijohej përshtypja që dikush i kishte negociatat nën kontroll apo i kishte pjesërisht nën kontroll, ose nëse ishit në një pozitë as kështu e as ashtu, dmth. diku në mes. Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai kishte kontroll të plotë mbi negociatat, por mendoj që ai i përfaqësonte interesat nga jashtë dhe mendoj që këto interesa nga jashtë e kishin ndikimin e tyre mbi autoritetin ose kontrollin mbi sjelljen e tij gjatë negociatave”, ka deklaruar Williams, i cili përveç në Rambuje (1999) ka qenë i angazhuar edhe në negociatat e Vjenës (2006-2007).
Këtë përshtypje Williams ka thënë ta ketë krijuar duke e parë Thaçin se si u përgjigjej telefonatave, por edhe duke ia përcjellë gjuhën e trupit.
“Baza për këtë përfundim janë disa faktorë. Bisedat e shumta përmes thirrjeve telefonike që realizonte Hashim Thaçi me persona nga jashtë kështjellës. Telefoni i tij binte vazhdimisht, që shpesh nënkuptonte që atij i duhej të dilte jashtë ose të shkonte në një cep të dhomës. Delegacioni i Kosovës ishte në katin përdhes, kështu që mund të dilnin lehtësisht në oborrin e kështjellës”, ka treguar dëshmitari.
Williams, që është ftuar si dëshmitar nga mbrojtja, ka theksuar se Thaçi u raportonte komandantëve të zonave. E për angazhimin e tij në Rambuje, Williams tha se ai konsistonte në aktivitetet jashtë kështjellës ku mbaheshin negociatat dhe në takime të rregullta me një shqiptaro-amerikan, për të cilin theksoi se ka pasur marrëdhënie të ngushta me UÇK-në dhe që e identifikoi si Dino Hasanaj. Hasanaj, shqiptaro-amerikan, pas luftës për disa vite ka drejtuar Agjencinë e Privatizimit. Ndërsa mbante këtë detyrë, ai u gjet i vdekur në zyrën e tij private, më 2012, me 13 goditje me thikë në trup. Ndonëse një version i atëhershëm ka konstatuar vetëvrasje, rrethanat e vdekjes së tij edhe 13 vjet pas kanë mbetur nën hijen e dyshimit se ai megjithatë është vrarë.
Dëshmitari i mbrojtjes së Thaçit u ballafaqua edhe me një shkrim në Kosovapress, që është cituar në librin e Mark Weller, e që sipas administratës së UNMIK-ut ai shkrim ishte botuar me lejen e Qeverisë së Përkohshme. Aty Veton Surroi, anëtar i delegacionit të Kosovës në Rambuje, është quajtur “vampir proserb”, meqë ka kritikuar atmosferën e frikës të krijuar ndaj serbëve dhe romëve pas luftës.
Dëshmitari Williams tha se Surroi nuk i ka thënë asnjëherë se është kërcënuar nga Thaçi, por vetëm ka folur lidhur me zhvillimet aktuale dhe ndikimet e tyre në rrugën drejt pavarësisë.
“Asnjëherë! Veton Surroi nuk më ka thënë asnjëherë dhe nuk më ka lënë të kuptoj në asnjë mënyrë, ose nuk më ka shfaqur asnjë sjellje që do të më bënte mua që të besoj se ai ishte i kërcënuar nga Hashim Thaçi apo nga askush tjetër nga delegacioni shqiptar i Kosovës”, ka thënë Williams, i cili për kontributin e tij ai është dekoruar më 2025 nga presidentja Vjosa Osmani.
Rubini: Gjatë kohës së luftës nuk kam parë asnjëherë shtab, batalion e as njësi të UÇK-së
Në ditën e tretë dhe të fundit të dëshmisë së James Rubinit, atij iu shfaq një videoxhirim në të cilin shefja e tij, Madeline Albright, e ka quajtur Thaçin lider.
Rubini theksoi se Albrighti e ka quajtur Thaçin lider, porse jo lider të UÇK-së.
“Unë mendoj se ajo i ka zgjedhur me shumë kujdes fjalët e saj, sepse këtë punë e bëjnë sekretarët e Shtetit, ashtu si bëj edhe unë. Ajo nuk tha lideri, por tha një lider dhe këtu ka dallim të madh, kur thua lideri është në njëjës, por lider në këtë kontekst ajo e krahasoi me Jerry Adamsin dhe ky është një krahasim shumë i rëndësishëm, lideri i një grupi që uronim ta udhëhiqte kombin e tij drejt rrugës së lirisë – pra ‘një drejtues’, ‘një udhëheqës’, kjo është fjala që ka përdorur edhe presidenti Clinton për të, Madeline Albright e edhe unë”, tha Rubin.
Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka treguar se si ka mësuar nga James O’Brien se Hashim Thaçi nuk guxonte ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë, meqë ishte i kërcënuar me jetë në shkurt të 1999-s. Këtë dëshmitari i propozuar nga mbrojtja e përmendi pasi avokati i Thaçit e ballafaqoi atë me një faqe libri të shkruar nga ambasadori Christopher Hill, që ishte po ashtu pjesë e delegacionit amerikan në Rambuje.
“Disa ditë para pushimit që do ta kishim pas dy javësh në këtë proces Thaçi na shqetësoi pasi u largua nga konferenca më 18 shkurt, duke u kthyer me kërkesa edhe më të ashpra. Kurrë s’më tregoi se ku shkoi, ndonëse ne dyshonim se shkoi ta takonte Adem Demaçin – drejtues politik i vetemëruar i UÇK-së, i cili kishte refuzuar të merrte pjesë në Rambuje. Për muaj Demaçi kishte bërë deklarata të forta në Prishtinë, kështu që serbët asnjëherë nuk ndërhynë tek ai, ky ishte kontributi i tij në argumentin e tyre që UÇK-ja ishte thjesht grup i radikalëve të çmendur. Pse nuk pajtoheni me këtë, e pyeta Thaçin, duke mos i ditur pasojat gati fatale nëse kosovarët thoshin jo. ‘Ti s’po e kupton’, tha ai. ‘Nëse unë pajtohem me këtë, unë do të kthehem në shtëpi dhe do të më vrasin”.
Avokati Mishetiq insistoi për më shumë hollësi nga Rubini.
“Kjo që e ka thënë ambasadori Hill, a ju ndihmon me kujtesën tuaj kur thatë që dikujt i ka treguar z. Thaçi që e kanë kërcënuar – kujt mund t’i ketë thënë pra?”, pyeti Mishetiq.
E Rubin nuk shprehu mospajtim me përmbajtjen e librit, tek tha se ka mundësi që Thaçi i ka treguar fillimisht Hillit se është i kërcënuar e më pas Hilli, O’Brienit.
“Mendoj që ia ka thënë Chris Hillit këtë, por ka të ngjarë që Chris Hill t’ia ketë thënë z. O’Brien, që ka qenë një nga shokët e mi dhe ata kanë qenë shumë më të afërt me njëri-tjetrin, kështu që kështu e kam mësuar unë”, ka theksuar Rubin.
Rubini ka theksuar gjithashtu se në qëndrimin e tij në Kosovë gjatë kohës së luftës nuk ka parë asnjëherë shtab, batalion e as njësi të UÇK-së.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10), si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.