Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Zv.ministri Mehani thotë se Lushtaku e sulmoi fizikisht. Lushtaku thotë se e sulmuan qytetarët

Sami Lushtaku & Hysni Mehani / KOHA

Sami Lushtaku & Hysni Mehani / KOHA

Zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, i cili e drejton qendrën e Vetëvendosjes në Skenderaj, si dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli, janë sulmuar fizikisht në qendër të qytetit. Ata thanë se u goditën nga kryetari i Komunës, Sami Lushtaku, dhe njerëz që ishin me të. E Lushtaku tha se sulmin e kryen qytetarët. Mehani e Zabeli i janë nënshtruar trajtimit mjekësor në Spitalin e Mitrovicës, ndërsa Lushtaku është kthyer në zyrën e tij në Komunë. Prokuroria nuk ka arrestuar ndonjë të dyshuar

Në mes të ditës, 50 metra larg Komunës së Skenderajt, janë sulmuar fizikisht zëvendësministri i Financave Hysni Mehani, i cili është kryetar i qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, si dhe aktivisti i kësaj partie, Bahri Zabeli.

Ata e edhe Vetëvendosja, kanë thënë se sulmi është kryer nga kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në kafenenë ku është kryer sulmi, bashkë me Mehanin ishin edhe disa aktivistë të Vetëvendosjes dhe kandidatja për deputete, Arjeta Fejza. Edhe ajo ka thënë se Lushtaku e ka kryer sulmin.

“Fare të shpërqendruar në muhabetin tonë, pa asnjë vëmendje rreth asaj se çka po ndodhte përreth edhe pa asnjë lloj komunikimi paraprak me zotëri Lushtakun, ai u afrua dhe e sulmoi zëvendësministrin Mehani. Fillimisht me telefon, pastaj me dorë, pastaj edhe me gotë, siç keni pasur mundësinë me pa edhe dëmin, të cilin e ka në fytyrën e tij”, ka thënë Fejza.

Sipas saj, edhe shoqërues të Lushtakut janë përfshirë në sulm.

“Kur sekretari i qendrës sonë, Bardh Zabeli, tentoi të ndërhyjë për ta qetësuar situatën, me i nda pak, mos të vazhdojë ajo përplasja fizike, ai u sulmua edhe nga disa persona të tjerë përreth, të cilët unë nuk i di se kush janë, as nuk i njoh, por ishin bashkë me zotëri Lushtakun në atë moment”, ka deklaruar ajo.

Lushtaku është kryetar i Degës së Partisë Demokratike në Skenderaj, komunë të cilën e ka bastion kjo parti.

Ai, përmes një postimi në Facebook, e ka mohuar se e ka kryer vetë sulmin.

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, ka shkruar ai.

Pas sulmit, Mehani dhe Zabeli kanë marrë trajtim mjekësor, fillimisht në Skenderaj, e më pas në Spitalin e Mitrovicës.

Nëpërmjet një njoftimi për media, Spitali ka bërë të ditur se të dy kanë lëndime, njëri fizike në fytyrë dhe kokë, kurse tjetri gërvishtje.

Lushtaku është kthyer në zyrën e tij në Komunë pas incidentit të ndodhur. Ish-komandanti i UÇK-së, është vizituar nga kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati dhe kushëriri i tij, Nuredin Lushtaku, me iniciativën politike të të cilit bashkëqeveris në Skenderaj.

Gucati ka thënë se Lushtakut i mbeti gota në dorë, tek ka folur me ton arsyetues për sulmin.

E Nuredin Lushtaku ka thënë se kryetari i Komunës shpreh keqardhje për rastin, por ka thënë për të se nuk beson që e ka goditur.

“Qysh ka ndodhë dhe tek ka ndodhë nuk e di. Unë çka kam kuptu prej njerëzve, është që e kanë rreh qytetarët. Nuk e besoj që Sami Lushtaku e ka prek me dorë. Nëse flasim shumë thjesht si qytetar, ndash me politikë ndash pa politikë, kur t’i teket e nxen e rreh shuplaka gojës, ka mujt me rreh moti. Po nuk besoj që e ka prek me dorë”, ka thënë Nuredin Lushtaku.

Të dy kanë thënë se Lushtaku ishte i provokuar, por këtë e hodhi poshtë ish-deputetja Fejza.

“Tema s’ka pas fare të bëjë as me Skenderajn, ne kemi qenë duke diskutuar një çështje krejt tjetër. Gjithçka ka ndodhur pa asnjë provokim dhe pa asnjë reagim prej anës sonë”, ka deklaruar ajo.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk ka dhënë versionin e saj për rastin. Ajo nuk ka arrestuar ndonjë të dyshuar, por vetëm ka bërë të ditur se ka zhvilluar hetime dhe se gjatë ditës ka mbledhur prova dhe ka marrë informata nga dëshmitarët.

Zyrtarë shtetërorë që janë eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe subjekte të tjera politike kanë dënuar sulmin ndaj kryetarit të Qendrës së Vetëvendosjes në Skenderaj, Hysni Mehani, dhe aktivistit të kësaj partie, Bahri Zabeli. Të dy kanë thënë se janë sulmuar nga kryetari i Komunës, Sami Lushtaku, dhe nga njerëz që e shoqëronin.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në hapje të mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se sulmi përbën akt qyqar.

“Na erdhi lajmi se kryetari i Qendrës së LVV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, u sulmua me grushte dhe u godit me gotë në kokë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet”, ka thënë Kurti.

Mehani është kandidat i Vetëvendosjes për deputet, për zgjedhjet e 7 qershorit.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për hetim profesional. Sipas saj, mandati publik nuk mund të shërbejë si mburojë për askënd.

“Mandati publik nuk është strehë për arrogancë, as mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik. Ftoj organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë, me profesionalizëm dhe pa asnjë hezitim, në mënyrë që çdo person i përfshirë, të përballet me drejtësinë dhe të japë përgjegjësi para ligjit”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar sulmin banditesk dhe ka kërkuar nga Partia Demokratike dënimin e aktit.

Por, deri në orët e mbrëmjes ka munguar reagimi i PDK-së, degën e së cilës në Skenderaj e drejton Lushtaku.

E ish-deputetja e kësaj partie, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se dhuna nuk është zgjidhje, porse zgjidhje nuk janë as provokimet, linçimet dhe akuzat sistematike.

“Sepse kur për vite të tëra instalohet gjuha e urrejtjes, e përçarjes dhe e dehumanizimit, pasojat nuk vonojnë. Njëra e sjell tjetrën. Gjithmonë kështu ka qenë. Prandaj, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë për përmbajtje dhe respekt në diskursin publik. Për ndalim të gjuhës që prodhon konflikt, e jo për ushqim të saj”, është shprehur Deliu.

Dhunën e ka dënuar edhe Lidhja Demokratike. Në një reagim të kësaj partie është thënë se mospajtimet politike duhet të mbeten gjithmonë brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare.

“Retorika përçarëse, nxitëse dhe denigruese që është normalizuar në hapësirën publike e digjitale nuk mund të trajtohet si fenomen i zakonshëm politik. Gjuha e urrejtjes prodhon tension, cenon sigurinë publike dhe krijon ambient ku dhuna rrezikon të shihet si mjet i pranueshëm i përballjes politike. Kjo është e papranueshme për një republikë demokratike. Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se mospajtimet politike duhet të mbeten gjithmonë brenda normave demokratike, institucionale dhe qytetare. Republika jonë ka nevojë për debat politik, për garë të ideve dhe vizioneve, jo për linçim, frikësim apo sulme ndaj kundërshtarit politik”, thuhet ndër të tjera në reagimin e LDK-së.

Incidente e kanë përshkuar fushatën e Vetëvendosjes në Skenderaj edhe janarin e vitit të shkuar, kur policia ka ndërhyrë për ta shpërndarë një grup të rinjsh që kanë gjuajtur edhe mjete piroteknike, derisa Kurti po mbante një fjalim para mbështetësve.