Ta quash kafenë turke “thjesht një pije” e nënvlerëson atë. Është një ritual, një bisedë dhe, si paraardhës i të gjitha kafeve moderne, është një pjesë historie 500-vjeçare e gdhendur nga UNESCO në listën e trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Rrënjët e kafesë shkojnë edhe më tej. Lani Kingston, ndihmësprofesor në Universitetin shtetëror të Portlandit, thotë se një kokërr kafeje nga shekulli 12 është gjetur në një zonë arkeologjike në Emiratet e Bashkuara Arabe. Deri në vitin 1350, artikujt për shërbimin e kafesë u shfaqën në Turqi, Egjipt dhe Persi.
Historia e kafesë turke nuk fillon në Turqi, por në Jemen. Në shekullin 15 mistikët sufi thuhet se e kanë konsumuar për të qëndruar zgjuar gjatë netëve të gjata lutjesh. Kur sulltan Sulejmani, i njohur në Evropë si Sulejmani i Madhërishëm, e pushtoi Jemenin në vitin 1538, kafeja e gjeti rrugën e saj drejt Perandorisë Osmane. Brenda një viti, kokrrat e kafesë kishin arritur në Konstandinopojë – qytetin e lashtë që sot është Stambolli.
Në vitin 1539, komandanti i flotës osmane Hajredin Barbarosa e regjistroi një pronë që përfshinte një “dhomë kafeje”, sipas Cemal Kafadar, profesor i Harvardit.
Në vitet 1550, në Stamboll po shfaqeshin “kafehanet” apo kafenetë e para, të përshkruara nga historiani Ibrahim Peçevi në librin e tij “Historia e Peçevit”. Popullariteti i pijes së re riformësoi shpejt jetën kulturore. Metoda osmane e përgatitjes së kafesë me xhezve u bë shenja dalluese e kafesë tradicionale turke. Siç shpjegon studiuesja e gastronomisë, Merin Sever, dallimi kryesor mes kafesë turke dhe kafeve të tjera është te xhezvja.
Kafenetë shkaktuan polemika. Studiuesit fetarë dhe liderët politikë përreth Azisë dhe Evropës i panë ato si vende për aktivitete subversive dhe thashetheme. Guvernatori i Mekës, Hayir Bej, e ndaloi kafenë në qytet në vitin 1511, një dekret që do të zgjaste 13 vjet, për shkak të shqetësimeve se ato do të çonin në ide radikale. Sulltanët osmanë vazhdimisht i mbyllën kafenetë për shkaqe të njëjta. Megjithatë, asnjëherë nuk u zhdukën krejtësisht. Madje edhe në shekullin 17 në Angli, Charles II u përpoq t’i mbyllte me dyshimin se “në ato kafene po zhvilloheshin kryengritje kundër mbretërisë dhe biseda tradhtie”.
Leximi i filxhanit në llumin e kafesë
Kafja turke është “më shumë se një pije”, thotë Seden Dogan, asistente në Universitetin e Floridës. Ajo e quan kafenë “urë” që lehtëson ndarjen e emocioneve – si hidhërimin ashtu edhe gëzimin.
Sot, kafeja është pija jozyrtare e takimeve miqësore në Turqi. Si në shumë shtete, kur dy miq që kanë qenë të ndarë për një kohë e duan të takohen, ata thonë “eja të pimë kafe”. Në Turqi, kjo nënkupton diçka më specifike: “Eja të ta bëj një kafe turke”.
Rituali i përgatitjes është i saktë dhe i përpiktë, që përfshin një xhezve të vendosur mbi zjarr, preferohet në qymyr të nxehtë ose rërë. Kafja më e mirë bëhet ngadalë për të lëshuar një shije të pasur dhe për të krijuar një shtresë të sipërme të bukur shkume, e cila konsiderohet shenjë cilësie.
Një kafe turke duhet të shërbehet e nxehtë e me shkumë, bashkë me një gotë ujë dhe një llokum. Uji pastron gojën, ndërsa llokumi balancon shijen e ithët të kafesë.
Mënyra si pihet është po aq e rëndësishme. Edhe pse shërbehet në filxhanë të vegjël, duhet të pihet me qetësi dhe ngadalë, jo me nxitim si një “espresso”. Kjo i jep kohë kafesë të qetësohet dhe llumi t’i mbetet në fund të filxhanit.
Kur filxhani të jetë i thatë, është koha për ritualin e leximit të tij. Filxhani kthehet në pjatëzën e vet, lihet të qetësohet dhe llumi të krijojë format e simbolet në mënyrë që t’u lexohet kuptimi më pas.
Derisa parashikimi i fatit në përgjithësi nuk rekomandohet në kulturën islame, leximi i filxhanit shihet si “interpretim simbolik” dhe “ritual shoqëror”, thotë Kylie Holmes, shkrimtare.
Ritualet e kafesë turke e gjejnë rrugën edhe në tradita të tjera kombëtare. Një nuse e ardhshme përgatit dhe shërben kafe turke për dhëndrin dhe familjen e tij. Si test për karakterin e tij, ajo i shton kripë kafesë së dhëndrit. Nëse ai e pi pa u ankuar, ai dëshmon durimin, pjekurinë dhe se është i denjë.
Nga Bosfori në Thame
Kafeja shpejt lëvizi drejt perëndimit. Venecianët u njohën me të përmes lidhjeve tregtare. Por, ka një lidhje të qartë mes Turqisë dhe Londrës: Daniel Edwards, tregtar në kompaninë Levant që jetonte në Smyrna, Izmiri i sotëm, e solli shërbëtorin e tij Pasqua Rosee në Londër. Më 1652, Rosee e hapi atë që besohet të ketë qenë kafeneja e parë në rrugët e Londrës.
Për një qindarkë, konsumatorët mund të pinin sa të donin ndërkohë që përfshiheshin në biseda. Ashtu si kafenetë në Turqi, edhe ato në Londër ishin qendra lajmesh, politikash, disa herë mospajtimesh. Konkretisht, ishin vende mospajtimi mes burrave. Gratë nuk lejoheshin të pini kafe në asnjërën kulturë, por në Londër gratë të paktën mund të punonin në kafene.
“Amerikanët e pinë deri në pikën e fundit”
Pavarësisht historisë së saj të pasur dhe rëndësisë kulturore, kafja turke kurrë nuk e pati njohjen globale të “espressos”. Severi i vë fajin një hendeku brezash.
“E kemi kufizuar kafenë turke në një ritual, dhe për të rinjtë tani shihet si diçka që e pi vetëm me prindërit”, thotë ajo.
Ajo thotë se inovacioni është i nevojshëm për tërheqje globale. Dogan nuk pajtohet me të, pasi këmbëngul se traditat duhet të mbrohen.
Të tjerë po punojnë shumë për t’ia prezantuar botës kafenë turke. Ayse Kapusuz organizon punëtori kafeje në Londër, teksa në New York, Uluç Ulgen drejton kafenenë turke duke ofruar edhe sesione të leximit të filxhanit.
“Pavarësisht shijet së ithët të kafesë turke, amerikanët e pinë deri në pikën e fundit për një lexim të filxhanit”, thotë ai.