Përgjatë lumit Magdalena, një nga lumenjtë më të rëndësishëm në Kolumbi, peshkatarët lëvizin me shumë kujdes. Nga uji i turbullt dhe me baltë, hipopotamët mund të dalin papritur dhe t’i afrohen një barke brenda sekondash.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Këta hipopotamë janë një makth i vërtetë”, ka thënë peshkatari Wilinton Sánchez, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Ai shpjegon se këto kafshë mund të lëvizin deri në 8 kilometra në orë në ujë dhe deri në 30 kilometra në orë në tokë.
“Ishim në lumë të shtunën kur njëri u hodh drejt nesh… u ngrit dhe hapi nofullat shumë gjerë. Nëse të kap, të copëton”, ka thënë ai.

Megjithatë, hipopotamët nuk shkaktojnë vetëm frikë, ata tërheqin edhe turistë.
Disa herë në javë, barka me turistë kolumbianë dhe të huaj lundrojnë përgjatë brigjeve për të parë hipopotamët në ujërat e errëta. Edhe këto shëtitje shpesh shoqërohen me britma frike kur kafshët afrohen me shpejtësi, por, ato sjellin të ardhura të rëndësishme për komunitetin lokal.

Hipopotamët në Kolumbi janë një specie jo vendase dhe aktualisht numërohen rreth 200. Ata janë pasardhës të hipopotamëve që trafikanti famëkeq i drogës, Pablo Escobar, i solli ilegalisht në Kolumbi gjatë viteve 1980 për kopshtin zoologjik privat në pronën e tij luksoze Hacienda Nápoles.
“Hipopotamët tani janë kolumbianë”
Ministria e Mjedisit në Kolumbi ka paralajmëruar se numri i hipopotamëve mund të kalojë 500 deri në vitin 2030 nëse nuk ndërhyhet.

Për këtë arsye, autoritetet kanë miratuar një plan për të vrarë rreth 80 hipopotamë duke filluar nga gjysma e dytë e këtij viti.
Vendimi ka ndezur debat të madh në vend. Shkencëtarët që mbështesin eutanazinë kanë marrë kërcënime me vdekje, ndërsa aktivistët për mbrojtjen e kafshëve e quajnë planin “masakër”.
Banorët e Puerto Triunfo, rreth 200 kilometra larg kryeqytetit Bogota, frikësohen se zhdukja e hipopotamëve do të shkatërrojë turizmin nga i cili jeton komuniteti.
Diana Hincapie, pronare restoranti në Puerto Triunfo, thotë se nuk dëshiron të shohë hipopotamë të vrarë.
“Nuk duam të shohim një hipopotam të ngordhur. Ata nuk janë më afrikanë, tani janë kolumbianë, sepse kanë lindur dhe janë rritur këtu për më shumë se 30 vjet”, ka thënë ajo.
Ajo shton se është e gatshme të protestojë nëse plani për vrasjen e tyre vazhdon.
Restoranti i saj, i vendosur pranë lumit Cocorna Sur, tërheq rreth 200 turistë në muaj, shumica prej të cilëve vijnë pikërisht për hipopotamët.
Përballja mes frikës dhe turizmit

Hipopotamët, që janë nga gjitarët më të mëdhenj në tokë, janë përhapur tashmë në rreth 43 mijë kilometra katrorë, sipas Ministrisë së Mjedisit.
Pa grabitqarë natyrorë dhe me klimë të qëndrueshme pa thatësira, ndryshe nga Afrika, ata kanë gjetur kushte ideale për mbijetesë në Kolumbi.
Një ishull i mbuluar me bimësi, i njohur si “Ishulli i Heshtjes”, është kthyer në qendrën kryesore të kolonisë së tyre.
Alvaro Molina, i cili jeton pranë lumit, kujton se çifti i parë i hipopotamëve mbërriti rreth 11 vjet më parë.
“Një natë pashë 12 përnjëherë, por kam dëgjuar se janë shpërndarë edhe në zona të tjera”, ka thënë ai.

Takimet me hipopotamët janë bërë aq të zakonshme sa ai tashmë i pret sa herë del për peshkim, sidomos në mbrëmje.
Pak vite më parë, barka e tij u përmbys pasi kaloi mbi dy hipopotamë të frikësuar.
“Qoftë nëse i vrasin apo i largojnë, na bëjnë nder”, ka thënë Molina, duke shtuar se shumë njerëz kanë hequr dorë nga peshkimi për shkak të frikës.
Çka planifikon qeveria?
Plani i qeverisë për kontrollin e hipopotamëve përfshin izolimin e tyre në zona të caktuara, transferimin në strehimore apo kopshte zoologjike jashtë vendit dhe eutanazinë, si zgjidhje të fundit kur opsionet e tjera nuk funksionojnë.
Sipas Daniel Cadena nga University of the Andes, hipopotamët mund të ndikojnë seriozisht në ekosistemin lokal.
“Këto kafshë mund të ndryshojnë strukturën e ekosistemeve”, ka thënë ai, duke mbështetur një strategji të kombinuar që përfshin edhe eutanazinë.
Megjithatë, procesi nuk është i thjeshtë. Sipas protokollit, hipopotamët mund të joshen me ushqim në një hapësirë të mbyllur dhe më pas të marrin injeksion vdekjeprurës. Në raste të tjera, mund të qëllohen me armë speciale me rreze të gjatë, pasi lëkura e tyre është shumë e trashë.
Ndërkohë, senatorja Andrea Padilla ka kërkuar që qeveria të përqendrohet te zhvendosja e kafshëve dhe jo te vrasja e tyre.
“Kjo është shfarosje, është masakër e 80 individëve. Ata janë një trashëgimi që na e la një trafikant droge. Si mund ta mbyllim këtë kapitull duke i vrarë me armë?”, ka deklaruar ajo.
Përpjekjet për t’i transferuar hipopotamët në vende të tjera deri tani kanë dështuar. Sipas Ministrisë së Mjedisit, asnjë shtet nuk ka pranuar t’i marrë, kryesisht për shkak të kostove të larta dhe ligjeve që ndalojnë importimin e specieve pushtuese.