Kuriozitet

Milionerit i kushton shtrenjtë vjedhja e kapelës nga një fëmijë në US Open

Piotr Szczerek

Momenti kur Piotr Szczerek kapë kapelën në UsOpen

Burri i cili u kap nga kamera duke e vjedhë një kapelë nga një fëmijë në kampionatin “US Open” në tenis ditë më parë, ka pranuar se “ka bërë gabim të madh”, pasi pamjet e rastit u bënë virale.

Polaku Piotr Szczerek, që është pronar i kompanisë për shtrimin e rrugëve “Drogbruk”, ka thënë se ka qenë “i sigurt” se tenisti Kamil Majchrzak, ia kishte dhënë atij kapelën.

“E di se kam bërë diçka që duket si marrje e qëllimshme e një kujtimi të një fëmije. Por ky nuk ishte qëllimi im. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon faktin që e lëndova djaloshin dhe i zhgënjeva fansat”, ka shkruar ai në rrjete sociale.

Videoja e bërë të enjten tregon tenistin që ia ofron kapelën një fëmije, para se Szczerek ta zgjatë dorën për ta marrë. Klipi u bë viral dhe nxiti reagime të menjëhershme ndaj veprimit të 50-vjeçarit.

Ai bëri të ditur se ia ka kthyer kapelën djaloshit. Por vepra i kushtoi rëndë. Përderisa ka pasur raportime të paverifikuara se kompania e tij ka humbur 15 për qind të vlerës, e sigurt është rënia e vlerësimit nga audienca. Kompania e tij tani ka vetëm 1.3 yje në Google.

Szczerek dhe gruaja e tij Anna e patën themeluar kompaninë “Drogbruk” më 1999. Kompania është sponsore e ngjarjeve sportive dhe sportistëve polakë.

VIDEO: