Termi daton prej vitit 1956, kur sociologë amerikanë kanë vëzhguar teleshikuesit, teksa krijojnë marrëdhënie “parasociale” me personalitete të ekranit. Kryeredaktori Colin McIntosh ka thënë se së fundi është përdorur për ta përshkruar “një lloj marrëdhënieje mes një personi dhe një jopersoni, për shembull një personazhi të famshëm”
“Parasocial” është fjala e vitit në Fjalorin e Cambridgeit, definuar si marrëdhënie që dikush e ndien midis vetes dhe një personi të famshëm që nuk e njeh. Një shembull që përfshin këtë dukuri është interesi parasocial që kanë shfaqur tifozët kur këngëtarja Taylor Swift dhe futbollisti amerikan Travis Kelce kanë bërë publike fejesën e tyre.
Termi daton prej vitit 1956, kur sociologë amerikanë kanë vëzhguar teleshikuesit, teksa krijojnë marrëdhënie “parasociale” me personalitete të ekranit.
Kryeredaktori Colin McIntosh ka thënë se së fundi është përdorur për ta përshkruar “një lloj marrëdhënieje, mes një personi dhe një jopersoni, për shembull një personazhi të famshëm”.
“Në fillim është krijuar si një fjalë akademike dhe ishte e kufizuar në domenin akademik për një kohë goxha të gjatë. Vetëm gjatë kohëve të fundit ka bërë një ndërrim në gjuhën popullore dhe është një nga ato fjalët që janë ndikuar prej rrjeteve sociale”, ka thënë ai.

Shembuj të tjerë që jep fjalori përfshijnë: albumin e ndarjes së Lily Allenit “West End Girl”, që ka çuar në një interes parasocial në jetën e saj dashurore; si dhe urgjenca e marrëdhënieve parasociale me robotë të Inteligjencës Artificiale, që paraqet njerëzit duke i trajtuar si bashkëbisedues, miq, apo edhe partnerë romantikë.

Natyra rrëfyese e moderatorëve të podkasteve thuhet se i ka zëvendësuar miqtë realë dhe ka nxitur marrëdhënie parasociale. Fjalori ka vënë re një valë kërkimesh që njerëzit e lypnin fjalën, pasi influenceri nga YouTube, “IShowSpeed” e ka bllokuar një tifoz të fiksuar si “parasociali numër 1” i tij.
Fjala është krijuar për herë të parë nga sociologët e Universitetit të Chicagos, Donald Horton dhe Richard Wohl, që kanë vëzhguar teleshikuesit që përfshihen në marrëdhënie “parasociale” me personazhe televizive, duke ngjasuar me ato që kanë krijuar me familje dhe me miq të vërtetë.
Ata kanë vënë re se si mediumi i televizionit, që po përhapej shumë shpejt, kishte sjellë fytyrat e aktorëve drejtpërdrejt në shtëpitë e shikuesve, duke i bërë si instalime në jetët e njerëzve.
“Nuk jemi ne që gjykojmë çka është fjalë e mirë, çka është e keqe dhe a është e vlefshme – mjafton ta kalojë testin e kohës dhe njerëzit ta përdorin gjatë gjithkund”, ka thënë redaktorja Jessica Rundell.
Fjalë të reja që kanë hyrë në Fjalorin e Cambridgeit janë: “skibidi”, “delulu” dhe “tradwife”.