Kuriozitet

Përgatitja e sandviçit pa duar dhe me sy të mbyllur, thyhet rekordi botëror

SANDVIC

Mbajtësi i shumë rekordeve Guinness, David Rush, është bashkuar me djalin e tij 9-vjeçar, Jeremy, për të thyer një tjetër rekord botëror – këtë herë duke përgatitur një sandviç.

Rush, i cili së fundmi theu rekordin për kohën më të shpejtë në lojën “Hungry Hungry Hippos” nga një ekip prej dy personash bashkë me djalin tjetër, Peterin, ka angazhuar Jeremyn për të synuar titullin e përgatitjes më të shpejtë të një sandviçi nga një ekip prej dy personash, pa përdorur duart dhe me sy të lidhur.

Në tentativë, Rush kishte sytë e mbuluar, ndërsa Jeremy e udhëzonte gjatë gjithë procesit, pa përdorur as duart e tij.

“Ai u bë sytë e mi, duke më treguar saktësisht se ku ishte gjithçka dhe duke udhëhequr çdo lëvizje,” ka shkruar Rush online. “Së bashku funksionuam si një njësi e vetme. Ushtruam, u përshtatëm dhe shpenzuam disa bukë.”

VIDEO:

Dyshja arriti ta përgatisë një sandviç me proshutë, djathë, gjalpë dhe domate për 36.5 sekonda, duke e thyer rekordin e mëparshëm prej 40.17 sekondash.

Rush ka thënë se ky është rekordi i parë zyrtar për Jeremyn, ndonëse jo hera e parë që ai ka qenë pjesë e një rekordi.

“Kur Jeremy ishte pesë vjeç, ne u stërvitëm dhe thyem bashkë një rekord: kohën më të shpejtë për të shtyrë një karrocë për fëmijë në 10 metra. Ai punoi jashtëzakonisht shumë dhe ishte pjesë shumë e rëndësishme e atij suksesi. Por zyrtarisht ishte rekord për një person, ndaj emri i tij nuk u shfaq në certifikatë,” ka treguar Rush.