Në mbarë botën, njerëzit shpenzojnë miliarda dollarë në produkte dhe shërbime që premtojnë jetë më të gjatë. Por, doktoresha amerikane Kerry Burnight, ka pyetur se  “ç’kuptim ka t’i zgjasësh vitet e jetës nëse nuk po i shijon ato?”, shkruan "TIME".
Gjatë karrierës së saj, Burnight ka trajtuar mijëra pacientë të moshuar dhe shpesh ka parë trishtim e boshllëk te ta.
“Për 20 vjet me radhë pashë njerëz të ulur vetëm në karrige me rrota që thoshin: ‘Nuk kam më asnjë qëllim në jetë’”, ka treguar ajo.
Kjo gjë e ka shtyrë atë të krijojë një term të ri: “joyspan” ose “shtrirja e lumturisë”, përkrah “lifespan” (jetëgjatësisë) dhe “healthspan” (vitet e jetuara me shëndet të mirë).
Në librin e saj të vitit 2025, “Joyspan: The Art and Science of Thriving in Life’s Second Half”, Burnight shpjegon se si mund të rritemi me gëzim e kuptim në gjysmën e dytë të jetës.
“’Joyspan’ është për këdo që po plaket dhe kush është ai? Të gjithë. Sa më herët të fillosh, aq më mirë. Ajo që përmirëson jetën tënde nga 83 në 84 vjeç, është e njëjta gjë që e përmirëson nga 23 në 24”, ka thënë ajo me humor.
Sipas saj, në përpjekjen për të zgjatur jetën, njerëzit kanë harruar cilësinë e saj.
“Pyetja nuk është si të mos plakesh, por si të plakesh me energji, me bukuri, me humor dhe me kuptim”, ka shtuar ajo.
Burnight ndan katër hapa të thjeshtë, por të fuqishëm për të ndërtuar një “joyspan” të gjatë: rritja, lidhja, përshtatja dhe dhurimi.
1. Rritu, sfido veten
“Kur themi ‘dua të rritem, do të përpiqem të bëjë gjëra të vështira, të reja e të bukura’, ne bëhemi njerëz të tjerë”, ka shpjeguar ajo.
Sipas Burnight, rritja nis me kureshtje:.
“Nëse mendon ‘Çfarë është Bitcoin?’ ose ‘A mund të mësojë të bëjë grim për gra me kancer që u mungojnë vetullat?’, fillo thjesht duke provuar”, ka thënë ajo.
Doktoresha shton se, ndryshe nga fëmijët që i nxisim të provojnë sfida, të rriturit ndalen.
“Duhet të kthehemi në zakonin e të bërit gjëra që janë pak të vështira”, rekomandon ajo.
2. Lidhjet, mbaj kontaktet gjallë
Një pjesë e rëndësishme e plakjes së shëndetshme është lidhja me njerëzit.
“Njerëzit që janë të mirë në lidhjet në të cilat investojnë kohë te marrëdhëniet. Duhet të jemi ai mik që të telefonon, që të ofron ndihmë, që kujton përvjetorin e ndarjes nga jeta të dikujt”, ka thënë Burnight.
Shpesh, ajo dëgjon pacientë që ankohen se ndihen të harruar.
“U them me dashuri: ‘Më trego për ftesat që ke bërë ti. Për mesazhet që ke dërguar.’ Dhe ata gjithmonë përgjigjen: ‘Ah, s’i kam bërë’”, ka thënë ajo.
Për Burnight, mesazhi është i qartë: njerëzit duhet të jenë aktivë në ndërtimin e lidhjeve, në çdo moshë.
3. Përshtatu, mëso të ecësh me sfidat
Jeta, sipas saj, është si det ku ose përshtatesh, ose fundosesh.
“Ka një thënie nga Henry Miller që më pëlqen shumë: ‘Nuk ka asgjë të gabuar me jetën; ajo është oqeani ku ne notojmë, ose mësojmë të përshtatemi, ose fundosemi’”, ka thënë ajo.
Përshtatja, sipas Burnight, nënkupton të gjesh mënyra për t’u përballur me vështirësitë përmes shkrimit në ditar, meditimit ose praktikës së mirënjohjes.
“Në vend që të zgjohesh duke menduar gjithë problemet, thuaj: ‘Kam një jastëk të butë. Do të pi kafen time. Do ta përqafoj macen’. Kështu, fillon të shohësh më shumë gjëra për të qenë mirënjohës”, ka thënë ajo.
4. Dhuro, gjej kuptim përmes mirësisë
“Kur njerëzit dhurojnë, ata shpërndajnë diçka nga vetvetja”, ka thënë Burnight.
Ajo ka këshilluar që secili të ketë një “qëllim dhurimi” të vogël çdo ditë, qoftë ndihmë për një fqinj, një kompliment apo një gjest mirësie.
“Me kohën, kjo bëhet zakon dhe ndihesh po aq mirë sa ai të cilin e ndihmon”, ka thënë doktoresha.
Një nga pacientet e saj pothuajse 100-vjeçare, sipas Burnight, është shembulli më i bukur.
“Ajo është dëgjuese e mrekullueshme. Fëmijët, infermierët, nipërit, të gjithë duan të jenë pranë saj, sepse ajo ka diçka për të dhënë”, ka thënë Burnight.
Sipas saj, “joyspan” nuk të bën vetëm më të lumtur, por edhe më të shëndetshëm.
“E njëjta gjë që ta rritë lumturinë, ta zgjatë jetën”, ka shpjeguar ajo. Studimet tregojnë se "euforia e dhuruesit" ul inflamacionin, ndërsa ndjenja e mirënjohjes dhe lidhjet e forta ndikojnë pozitivisht në shëndet.
Për ta përmbyllur, ajo sjell shembullin e nënës së saj 96-vjeçare.
“Ajo nuk ka qenë gjithmonë pozitive apo me zakone të shëndetshme. Ka kaluar sëmundje, humbje e vështirësi financiare. Por, tani është e bukur, plot humor dhe njerëzit s’ngopen duke qenë pranë saj”, ka treguar Burnight.
Doktoresha beson se kjo është e arritshme për të gjithë.
“Ka miliona njerëz që po e jetojnë këtë ‘epokë të re të plakjes’, të bukur, të gjallë, dhe me qëllim. Dhe secili prej nesh mund ta arrijë këtë”, ka thënë ajo.