Prej disa vitesh, në TikTok po qarkullojnë video që lavdërojnë vajin e rozmarinës si zgjidhje për shëndetin e flokëve. Shumë përdorues pretendojnë se u ka ndihmuar të kenë flokë më të gjatë dhe më të dendur, ka shkuar The Washington Post.
Por ekspertët thonë se kur bëhet fjalë për shëndetin e flokëve, vetëm rozmarina nuk ka gjasa të nxisë rritje reale dhe të qëndrueshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Humbja e flokëve është biologjikisht komplekse dhe emocionalisht e ndjeshme, prandaj është e lehtë që të krijohen pretendime të thjeshtuara ose të ekzagjeruara”, shpjegon Oma Agbai, profesoreshë klinike e dermatologjisë në University of California, Davis School of Medicine.
Sipas saj, disa persona mund të shohin një përfitim të lehtë, por “kjo nuk është e barabartë me rezultatet që shohim nga trajtimet e bazuara në prova shkencore”.
Çfarë është vaji i rozmarinës?
Vaji i rozmarinës është një vaj esencial i nxjerrë nga bima e rozmarinës. Ai përdoret shpesh në produkte për flokët dhe lëkurën, sepse besohet se ka veti anti-inflamatore dhe antimikrobike.
Teoria është se mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut në skalp dhe të ulë inflamacionin, duke mbështetur kështu rritjen e flokëve.
Megjithatë, provat shkencore janë të kufizuara.
Disa studime sugjerojnë se mund të ketë një efekt modest tek alopecia androgjenetike, forma më e zakonshme e rënies së flokëve te burrat dhe gratë.
Adam Friedman, profesor dhe drejtues i dermatologjisë në George Washington School of Medicine and Health Sciences, ka theksuar se “Nuk është magji.”
Alopecia androgjenetike lidhet me hormonet androgjene, sidomos me dihidrotestosteronin (DHT). Kur ka nivele të larta ose ndjeshmëri të shtuar ndaj DHT-së, folikulat e flokëve tkurren, fijet bëhen më të holla dhe cikli i rritjes shkurtohet.
Disa studime sugjerojnë se rozmarina mund të ndikojë pak në uljen e DHT-së, por nuk është provuar në mënyrë të qartë se redukton rënien ose nxit rritje të dukshme dhe të qëndrueshme të flokëve.
Gjithashtu, nuk ka prova solide që vaji i rozmarinës ndihmon në forma të tjera të rënies së flokëve, si:
-telogen effluvium (rënia e përkohshme nga stresi, sëmundja apo shtatzënia)
-alopecia areata (rënia në zona të veçanta për shkak të çrregullimeve autoimune)
-alopecia me shenja (që shkakton humbje të përhershme për shkak të inflamacionit)
Pse shumë njerëz besojnë se funksionon?
Një pjesë e madhe e entuziazmit vjen nga një studim i vitit 2015, i shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku një solucion me vaj rozmarine u krahasua me minoxidil 2 për qind (i njohur si Rogaine). Studimi tregoi rezultate të ngjashme te burrat me alopeci androgjenetike.
Por dermatologët theksojnë se përmirësimet ishin modeste, studimi kishte vetëm 100 pjesëmarrës e zgjati vetëm 6 muaj si dhe nuk kishte grup placebo.
Kjo e bën të vështirë të nxirren përfundime të forta.
Për më tepër, vaji mund t’i bëjë flokët të duken më të shndritshëm dhe të reduktojë thyerjen, duke krijuar përshtypjen e trashësisë më të madhe.
Në disa raste, rënia e flokëve ndalet vetvetiu pas disa muajsh, dhe përmirësimi mund t’i atribuohet gabimisht vajit.
Si mund të përdoret?
Nëse dikush dëshiron ta provojë, rekomandohet të përziejë disa pika vaj rozmarine me një vaj bazë si vaj kokosi ose jojoba e ta masazhojë në skalp
Në përgjithësi tolerohet mirë dhe rrallë shkakton irritim.
Megjithatë, ekspertët thonë se mund të përdoret si shtesë, por jo si zëvendësim i trajtimeve mjekësore të provuara.
Çka tjetër ndihmon?
Përveç produkteve, janë të rëndësishme:
-ushqyerja e balancuar
-gjumi
-menaxhimi i stresit
-korrigjimi i mungesave si hekuri, zinku, vitamina D apo proteinat
Duhet shmangur stilimi shumë i shtrënguar (gërsheta të shtrënguara fort, lidhja bisht e shtrënguar fort), që mund të shkaktojnë alopeci nga tërheqja.
Trajtimet që kanë prova shkencore
Dermatologët rekomandojnë:
-Minoxidil (oral ose lokal 5 për qind), i studiuar gjerësisht dhe efektiv për shumë persona me alopeci androgjenetike.
-Finasteride, redukton DHT-në dhe rrit numrin e flokëve (kryesisht përdoret te burrat).
-Spironolactone, përdoret më shpesh te gratë, sidomos kur kombinohet me trajtime të tjera.
-Dutasteride, më i fuqishëm në uljen e DHT-së, përdoret jashtë indikacionit zyrtar për rënien e flokëve.
Ekspertët theksojnë se, si trajtimet natyrale ashtu edhe ato mjekësore, humbin efektin nëse ndërpriten. Gjithashtu, këto barna mund të kenë efekte anësore ose ndërveprime me ilaçe të tjera, prandaj duhet konsultim me mjekun.