Lifestyle

A janë të shëndetshme farat e shalqirit për t’u ngrënë?

farat e shalqirit

Shalqiri është një nga frutat më të preferuara të verës – i lëngshëm, i ëmbël dhe freskues. Por, ndërsa e shijojmë, shumë pyesin: po farat e tij? A duhet t’i hedhim apo mund t’i hamë? A janë të dëmshme apo ndoshta edhe të dobishme për shëndetin?

Farat e shalqirit janë shumë më tepër sesa “mbeturina”. Ato janë të ngrënshme, të sigurta dhe të pasura me vlera ushqyese – sidomos kur përgatiten siç duhet, shkruan “Index.hr”.

A janë të sigurta për konsum?

Farat e shalqirit janë plotësisht të sigurta për konsum. Mund të hahen siç janë, bashkë me shalqirin, ose të përgatiten në mënyra të ndryshme – duke i skuqur apo pjekur. Nuk ka dëshmi shkencore që tregojnë se ato janë të dëmshme për shëndetin.

Edhe pse të vogla, farat e shalqirit përmbajnë sasi befasuese përbërësish të dobishëm, sidomos nëse konsumohen në sasi më të mëdha dhe përgatiten siç duhet. Ndër përbërësit më të rëndësishëm që ato përmbajnë janë: proteina, magnez, zink, hekur, acide yndyrore omega-6 dhe vitamina të grupit B.

Si mund të konsumohen?

Ato mund të hahen të skuqura ose të pjekura – pas ngrënies së shalqirit, lani farat, thani, shtoni pak kripë dhe vendosini në furrë ose në një tigan. Piqen në temperaturë mesatare derisa të bëhen të forta, ngjashëm me farat e kungullit apo lulediellit.

Mund të lihen edhe në ujë për disa ditë që të mbijnë. Në këtë mënyrë, ato zbuten, treten më lehtë dhe bëhen më ushqyese. Përveç kësaj, mund të bluajmë farat në formë pluhuri – në disa kultura përdoren si shtesë për pije, smoothie apo si burim natyral i proteinës bimore.

Çfarë duhet pasur parasysh?

Farat e shalqirit janë zakonisht të sigurta për shumicën e njerëzve. Megjithatë, konsumimi i tepruar – sidomos i farave të gjalla dhe të papastruara – mund të shkaktojë probleme me tretjen si fryrje ose shqetësim te disa persona, për shkak të sasisë së lartë të fibrave dhe vështirësisë në tretje nëse nuk përtypen mirë. Nëse keni probleme me tretjen ose stomak të ndjeshëm, është më mirë t’i konsumoni të pjekura ose të skuqura.