Arbëri

Kurti: Sovraniteti shtetëror i paprekshëm, integriteti territorial i pacenueshëm

350 ushtarë të rinj i janë shtuar Forcës së Sigurisë të premten. Në Ferizaj është betuar gjenerata e dytë për këtë vit, duke e çuar në rreth 700 numrin e ushtarëve të rinj. Në ceremoninë e betimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se të përgatitur në aspektin profesional dhe logjistik, ushtarët janë të pamposhtur dhe të pathyeshëm, kurse sovraniteti shtetëror i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm

Rina Doroci dhe Erion Musliu janë ushtarët më të rinj të Forcës së Sigurisë (FSK).

Ata janë në mesin e 350 rekrutëve të cilët janë betuar të premten në Ferizaj dhe i takojnë gjeneratës së dytë të ushtarëve të rinj për këtë vit.

Ndjesinë e të qenit pjesë e FSK-së, që të dy e kanë përshkruar me emocione.

“Është ndjenjë shumë e mirë me qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kam kaluar shumë mirë në stërvitjen ushtarake bazë për motivimin dhe gjithçka që kanë dhënë instruktorët tanë që ne të mos dorëzohemi”, është shprehur ushtarja Doroci.

E Musliu ka thënë se për t’u bërë ushtar ka aplikuar vetëm që të mund t’i shërbejë shtetit.

“Qëllimi që kam aplikuar në FSK është e kaluara dhe historia e vendit tim, për të cilën këtë uniformë që ne e kemi, shumë pjesëtarë të mëhershëm kanë derdhur shumë gjak që ne të jemi krenarë”, ka thënë ai.

Ushtarëve të rinj, përgjegjësinë që e kanë për uniformën që e kanë veshur ua ka kujtuar komandanti i doktrinës dhe i stërvitjes, Jeton Dreshaj.

“Përmes këtij trajnimi keni dëshmuar vendosmërinë tuaj për t’iu shërbyer vendit dhe qytetarëve të Kosovës, duke kontribuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë dhe integritetit tonë territorial”, ka thënë Dreshaj.

E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se Forca e Sigurisë e Kosovës është duke ecur me hapa të shpejtë drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri.

Ai ka theksuar se ushtria është më e furnizuar se asnjëherë më parë me arsenal ushtarak dhe me sisteme armatimesh moderne, në mënyrë që sovraniteti të jetë i pacenueshëm.

“Përballë armikut a çfarëdo kërcënimi të paqes a sigurisë më nuk qëndron Kosova e dikurshme, por Ushtria e Kosovës me shumë të rinj dhe të reja që si ju ballëhapur bartin uniformën me simbolin e shqiponjës sy patrembur në krahë. Të përgatitur në aspektin profesional e logjistik ushtarët tanë janë të pamposhtur e të pathyeshëm, kurse sovraniteti shtetëror i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm”, ka thënë Kurti.

Me betimin e gjeneratës së dytë, FSK-së këtë vit i janë shtuar 700 ushtarë të rinj.