Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Prezantohen tri trajtime premtuese për sëmundjen që prek miliona njerëz

Fotografi me rreze X e një pacienti 66 vjeç me osteoartit, nga doktori P.Marazzi

Fotografi me rreze X e një pacienti 66 vjeç me osteoartit, nga doktori P.Marazzi

Agjencia federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ARPA-H) ka prezantuar tri trajtime të reja premtuese për osteoartrit, sëmundjen që dëmton nyjat dhe prek miliona njerëz.

Përfaqësuesit e agjencisë ARPA-H kanë bërë të ditur se, pas tre vjetësh kërkime, disa ekipe shkencore kanë arritur të rigjenerojnë eshtra dhe kërc, madje edhe gjunjë të plotë, deri tani vetëm në eksperimente me kafshë, ka raportuar The New York Times.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Testimet te njerëzit pritet të nisin brenda 18 muajsh.

Aktualisht, trajtimet për artritin vetëm lehtësojnë simptomat, por nuk e shërojnë sëmundjen. Këto zbulime mund të ndryshojnë krejtësisht qasjen.

“Është jashtëzakonisht premtuese. Tani për tani, gjithçka që kemi vetëm modifikon simptomat. Shërimi i artritit duke rigjeneruar kërcin dhe ashtin do të ishte një ndryshim i madh”, ka thënë Scott Rodeo, ekspert në kirurgjinë ortopedike.

Një nga projektet më inovative vjen nga studiuesit në Universitetin e Columbias, të cilët po zhvillojnë një mënyrë për të “rritur” një gju të ri.

Ata përdorin një strukturë të printuar 3D (si një skelet artificial), e mbushur me qeliza ashti dhe kërcore. Me kalimin e kohës, kjo strukturë shpërbëhet, ndërsa qelizat formojnë një gju të ri funksional.

Kjo metodë synon pacientët në fazë të avancuar, kur kërcet janë zhdukur pothuajse plotësisht (“asht mbi asht”).

Ndërkohë, dy ekipe të tjera, në Duke University dhe University of Colorado Boulder, kanë zhvilluar injeksione që ndihmojnë në rigjenerimin e kërcit dhe rikthimin e strukturës normale të ashtit.

Një trajtim stimulon rritjen e qelizave të kërcit, një tjetër riformon ashtin, ndërsa një infuzion mund të trajtojë disa nyja njëkohësisht.

“Ideja është që trajtimi të përshtatet sipas problemit, nëse dëmi është më shumë në kërc apo në asht”, ka shpjeguar kirurgu ortoped Benjamin Alman.

Në University of Colorado Boulder, studiuesit kanë përdorur një ilaç ekzistues, duke e modifikuar që të qëndrojë më gjatë në nyje dhe të lirohet gradualisht.

Rezultatet në kafshë kanë qenë shumë inkurajuese, në disa raste, gjunjët janë rikthyer në gjendje normale brenda pak muajsh.

“Bën gjithë këtë punë dhe nuk e di kurrë nëse do të funksionojë. Ky është një shans real për të ndihmuar pacientët”, ka thënë studiuesja Stephanie Bryant.

ARPA-H është pjesë e Departamentit Amerikan të Shëndetësisë dhe është modeluar sipas DARPA, agjenci që ka ndihmuar në zhvillimin e internetit dhe GPS-it.

Ndryshe nga grantet tradicionale, këto projekte kërkojnë që trajtimet jo vetëm të funksionojnë, por edhe të dalin në treg dhe të jenë të përballueshme, jo më shumë se 25 për qind e kostos aktuale të trajtimeve ekzistuese.

Nëse këto metoda provohen të suksesshme te njerëzit, ato mund të sjellin për herë të parë një kurë të vërtetë për artritin, dhe jo vetëm lehtësim të dhimbjes.