Agjërimi me ndërprerje (Intermittent Fasting) nuk është më efektiv për humbje peshe sesa dietat tradicionale, madje sipas një rishikimi të madh shkencor, ai është vetëm pak më i mirë sesa të mos mbash fare dietë.
Studiuesit kanë analizuar të dhënat nga 22 studime ndërkombëtare dhe kanë zbuluar se personat me mbipeshë ose obezitet humbnin po aq kilogramë duke ndjekur këshilla klasike ushqimore, sa edhe duke provuar forma të agjërimit si dieta me dy ditë agjërim në javë (5:2), e popullarizuar nga i ndjeri Michael Mosley, ka shkruar The Guardian.
Sipas rishikimit të publikuar nga Cochrane, personat që aplikuan agjërimin humbën mesatarisht rreth 3 për qind të peshës trupore, shumë më pak se 5 për qind, prag që mjekët e konsiderojnë si përmirësim me rëndësi klinike.
Të gjitha studimet ishin afatshkurtra dhe matën rezultatet për maksimumi 12 muaj.
“Agjërimi me ndërprerje nuk është një zgjidhje mrekullie, por mund të jetë një opsion mes disa alternativave për menaxhimin e peshës. Ka gjasa që të japë rezultate të ngjashme me dietat tradicionale për humbje peshe. Nuk duket qartë më i mirë, por as më i keq”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Luis Garegnani, drejtor i Qendrës së Asociuar Cochrane në Spitalin Italian të Buenos Aires.
Agjërimi me ndërprerje, ku njerëzit kufizojnë ngrënien në orë të caktuara ose agjërojnë në ditë të caktuara të javës, është bërë shumë popullor, mes pretendimeve se ndihmon jo vetëm në rënie peshe, por edhe në përmirësimin e shëndetit fizik e mendor, madje edhe në ngadalësimin e plakjes.
Rishikimi përfshiu 1,995 të rritur nga Evropa, Amerika e Veriut, Kina, Australia dhe Amerika e Jugut. U analizuan forma të ndryshme të agjërimit, si:
-agjërimi çdo të dytën ditë,
-dieta 5:2 (dy ditë agjërim në javë),
-ushqyerja me orar të kufizuar (time-restricted eating).
Përtej humbjes minimale të peshës, studiuesit nuk gjetën prova të forta se agjërimi përmirëson cilësinë e jetës më shumë se dietat e tjera.
Garegnani ka theksuar se është e rëndësishme të sqarohen faktet, për shkak të popullaritetit të madh të këtyre dietave dhe promovimit të tyre në media. Ai ka shtuar se shumë studime janë afatshkurtra dhe me cilësi të dobët, gjë që sipas tyre, e vështirëson nxjerrjen e përfundimeve të forta. Madje, asnjë nga 22 studimet nuk i pyeti pjesëmarrësit sa të kënaqur ishin me këtë mënyrë ushqimi.
Nga ana tjetër, doktoresha Zhila Semnani-Azad nga Universiteti Kombëtar i Singaporit ka thënë se efektet e agjërimit mund të varen edhe nga koha kur kryhet, pasi ritmi biologjik i trupit lidhet ngushtë me metabolizmin.
Studimet tek kafshët sugjerojnë se agjërimi mund të:
-ndryshojë mënyrën si përdoren rezervat e yndyrës,
-përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës (e rëndësishme për diabetin),
-ulë inflamacionin dhe stresin oksidativ,
-ndihmojë në procesin e quajtur autofagi (mekanizmi i “riciklimit” të qelizave), që lidhet me plakjen dhe jetëgjatësinë.
Megjithatë, ajo ka theksuar se nuk ekziston një përkufizim universal për agjërimin me ndërprerje, çka e bën më të vështirë vlerësimin e saktë të efekteve.
Edhe profesori Maik Pietzner nga Instituti i Shëndetit në Berlin (Charité) u shpreh i befasuar që humbja e peshës ishte kaq e vogël krahasuar me mosndjekjen e asnjë diete. Por ai ka thënë se kjo përputhet me prova të tjera që tregojnë se njerëzit janë më pak aktivë fizikisht gjatë agjërimit dhe se humbja e peshës është e vështirë pa mbështetje medikamentesh.
Ai ka shtuar se edhe periudhat e shkurtra të agjërimit të plotë, deri në dy ditë, kanë pak ndikim në trup. Në një nga studimet e tij, pjesëmarrësit pinë vetëm ujë për shtatë ditë, por ndryshime të gjera në proteinat e gjakut u panë vetëm pas tre ditësh.
“Nëse njerëzit ndihen më mirë me këto dieta, unë nuk do t’i ndaloja. Por kjo punë, bashkë me studime të tjera në këtë fushë, tregon qartë se nuk ka prova të forta për efekte pozitive përtej një humbjeje të moderuar në peshë. Trupi ynë është evoluar në kushte mungese të vazhdueshme ushqimi dhe përballon mirë periudhat e gjata pa të. Por kjo nuk do të thotë se performojmë më mirë kur aktivizohen këta mekanizma të lashtë biologjikë”, ka thënë ai.