Shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht pse shfaqet sëmundja e lëkurës që quhet rosacea apo pse ajo përkeqësohet me kalimin e viteve, por kanë disa shpjegime të mundshme.
“Nëse keni rosacea, është e zakonshme që simptomat të përkeqësohen në të 40-at ose 50-at”, ka thënë për New York Times, dermatologia Julie C. Harper nga Alabama.
Skuqja e shpeshtë e fytyrës, puçrrat që duken si akne dhe enët e zgjeruara të gjakut janë shenja tipike të kësaj gjendjeje, e cila prek mbi 14 milionë njerëz vetëm në Shtetet e Bashkuara.
Rosacea shfaqet më shpesh te gratë dhe te personat me lëkurë të çelët. Ajo mund të diagnostikohet në çdo moshë, por shumë njerëz nuk vërejnë simptoma deri pas moshës 30-vjeçare.
“Nuk ka shërim për rosacean, por ajo mund të menaxhohet shumë, shumë mirë”, ka thënë Harper.
Arsyet pse rosacea përkeqësohet me moshën
Rosacea shpesh trashëgohet dhe lidhet me reagim të tepruar të sistemit imunitar ndaj faktorëve të jashtëm.
“Këta faktorë përfshijnë diellin, ushqimet pikante, alkoolin, temperaturat e ulëta ose të larta, stresin, aktivitetin fizik dhe pijet e nxehta”, ka shpjeguar dermatologia Marie Leger.
Përveç skuqjes së vazhdueshme dhe enëve të dukshme të gjakut, rosacea mund të shkaktojë thatësi, ndjesi djegieje dhe shtrëngimi të lëkurës. Ajo mund të prekë edhe sytë, duke shkaktuar kruarje ose ndjesi sikur keni rërë brenda, si dhe të trashë lëkurën e hundës, thotë dermatologia Dina Elrashidy nga Chicago.
Simptomat zakonisht shfaqen dhe zhduken gjatë jetës, varësisht nga ekspozimi ndaj faktorëve nxitës.
“Mund të ketë shpërthime që zgjasin javë, muaj apo edhe më gjatë nëse rosacea nuk trajtohet”, ka shpjeguar Leger.
Nëse rosacea shfaqet herët, ajo shpesh përkeqësohet mes moshës 30 dhe 50 vjeç. Arsyeja nuk është plotësisht e qartë, por sipas Harper, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj faktorëve nxitës krijon inflamacion kronik.
“Me kalimin e viteve, inflamacioni dobëson indet rreth enëve të gjakut, duke bërë që ato të zgjerohen dhe të mbeten të dukshme në mënyrë të përhershme”, ka shpjeguar ajo.
Sipas Elrashidyt, plakja natyrale e lëkurës dhe dëmtimet nga dielli bëjnë që kolagjeni të hollohet dhe lëkura të bëhet më e thatë, gjë që e bën skuqjen edhe më të dukshme.
Ndërkohë, Leger ka theksuar se shumë gra gjatë periudhës së paramenopauzës dhe menopauzës përjetojnë përkeqësim të simptomave, edhe pse lidhja direkte me hormonet ende nuk është vërtetuar shkencërisht.
Si mund të menaxhohet rosacea?
Menaxhimi i rosaceas zakonisht kërkon disa hapa njëkohësisht.
Shmangni faktorët nxitës
Çdo person ka faktorë të ndryshëm që e përkeqësojnë rosacean. Identifikimi dhe shmangia e tyre, si alkooli apo ushqimet pikante, mund t’i reduktojë shpërthimet. Megjithatë, disa faktorë, si moti i ftohtë, janë të pashmangshëm. Për disa njerëz, edhe dielli apo era mund të jenë pjesë e stilit të jetës, nga të cilat nuk duan të heqin dorë.
Përdorni produkte të buta për lëkurën
Pastruesit hidratues me përbërës si glicerina ose dimetikoni ndihmojnë në qetësimin e lëkurës. Produktet me squfur kanë efekt kundër inflamacionit dhe mund t’i ulin simptomat. Duhet shmangur përdorimi i skrabeve dhe produkteve me aromë, pasi ato mund të irritojnë lëkurën.
Mbroni lëkurën nga dielli
Dielli është një nga shkaktarët kryesorë të rosaceas. Dermatologët këshillojnë përdorimin e kremit mbrojtës me SPF 30 ose më të lartë çdo ditë, dhe ripërdorimin e tij kur qëndroni jashtë. Kremrat me zink ose titan janë zakonisht më të butë dhe tolerohen më mirë nga lëkura e ndjeshme.
Përdorni trajtime mjekësore
Disa kremra me recetë ngushtojnë enët e gjakut dhe ulin skuqjen e përhershme. Të tjerë ndihmojnë në uljen e inflamacionit dhe puçrrave. Në disa raste, mjekët përshkruajnë edhe antibiotikë në doza të ulëta, të cilët mund të merren gjatë shpërthimeve ose për disa muaj rresht.
Trajtimi me laser
Laseri ndihmon në tkurrjen e enëve të gjakut dhe uljen e skuqjes. Zakonisht nevojiten një deri në tre seanca, dhe trajtimi përsëritet një ose dy herë në vit për mirëmbajtje.
“Nuk është asnjëherë herët apo vonë për t’u konsultuar me dermatologun”, ka thënë Harper.
Sipas Leger, të kesh një plan të qartë trajtimi “i ndihmon pacientët të ndihen më në kontroll të lëkurës së tyre”.