Barnat që përdoren për trajtimin e diabetit mund të kenë ndikim edhe në shëndetin mendor.
Sipas një studimi të publikuar në “The Lancet Psychiatry”, disa medikamente të grupit GLP-1 mund të ndihmojnë që ankthi dhe depresioni të mos përkeqësohen, ka raportuar The Guardian.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDiabeti i tipit 2 prek mbi 800 milionë njerëz në botë dhe personat me këtë sëmundje kanë rreth dy herë më shumë gjasa të përjetojnë depresion krahasuar me popullatën e përgjithshme.
Studiuesit analizuan të dhënat e rreth 95 mijë personave në Suedi, të cilët kishin diagnozë për ankth ose depresion dhe njëkohësisht po trajtoheshin për diabet gjatë viteve 2009-2022. Ata krahasuan periudhat kur pacientët merrnin barna GLP-1 me periudhat kur nuk i përdornin.
Rezultatet treguan se disa prej këtyre barnave lidhen me rrezik më të ulët për përkeqësim të shëndetit mendor:
-Semaglutide (i njohur si përbërësi aktiv në brana si Ozempic dhe Wegovy) u lidh me 42 për qind rrezik më të ulët për përkeqësim të gjendjes mendore
-Liraglutide (Saxenda) u lidh me 18 për qind rrezik më të ulët
Për semaglutide, efektet ishin edhe më specifike:
-44 për qind më pak rrezik për përkeqësim të depresionit
-38 për qind më pak rrezik për përkeqësim të ankthit
-47 për qind më pak rrezik për përkeqësim të varësive
“Për ankthin dhe depresionin që shfaqen së bashku me diabetin dhe obezitetin, semaglutide dhe në një masë më të vogël, liraglutide mund të jenë opsione të dobishme që veprojnë në të dyja drejtimet”, thuhet në raportin e studimit.
Sipas studiuesit Markku Lahteenvuo nga Universiteti i Finlandës Lindore, efektet mund të lidhen me disa faktorë.
“Përveç humbjes në peshë, përmirësimit të imazhit trupor apo kontrollit më të mirë të sheqerit në gjak, mund të ketë edhe mekanizma të drejtpërdrejtë në tru, si ndryshime në sistemin e shpërblimit”, ka thënë Lahteenvuo.
Megjithatë, ekspertët kërkojnë kujdes në interpretim.
“Dihet prej kohësh që shëndeti më i mirë fizik shoqërohet me shëndet më të mirë mendor. Por nuk ka gjasa që këto barna të përdoren si trajtim i vetëm për depresionin apo ankthin”, ka thënë David Nutt nga Imperial College London.
Një tjetër ekspert, Eduard Vieta nga Universiteti i Barcelonës, ka shtuar se këto rezultate janë inkurajuese për sigurinë e këtyre barnave nga ana psikiatrike dhe sugjerojnë një rol të mundshëm në përmirësimin e gjendjes mendore.
“Megjithatë, nuk duhet të interpretohen ende si prova për një efekt të drejtpërdrejtë terapeutik”, ka thënë Vieta.
Ndërkohë, një studim tjetër ngre shqetësime për përdorimin e këtyre barnave gjatë shtatzënisë.
Të dhënat nga Danimarka treguan se gratë që kishin marrë semaglutide para se të kuptonin se ishin shtatzëna kishin rrezik më të lartë për lindje të parakohshme.
-për Semaglutide: rreth 11 për qind rritje absolute e rrezikut
-për Liraglutide: rreth 9 për qind rritje
Studimi gjeti se ekspozimi i hershëm ndaj këtyre barnave lidhej me lindje para javës së 37-të, sidomos kur përdoren për trajtimin e diabetit.