Lifestyle

Bie çmimi i çantës ikonike “Birkin” nëpër ankande si pasojë e inflacionit dhe papunësisë

"Birkin" çanta ikonike e brendit "Hermes"

"Birkin" çanta ikonike e brendit "Hermes"

Foto: Associated Press

Çmimet e çantave ikonike “Birkin” të brendit të njohur francez, “Hermès” po bien në ankande, pavarësisht disa shitjeve shumë të bujshme që kanë tërhequr vëmendjen botërore. Sipas një studimi nga firma kërkimore “Bernstein”, vlera e çantave të këtij brendi “Birkin” dhe “Kelly” në tregun e dorës së dytë ka rënë ndjeshëm krahasuar me kulmin e arritur gjatë pandemisë, ka raportuat CNBC.

Këtë vit, dy çanta “Birkin” që dikur i përkisnin artistes Jane Birkin u shitën për shuma rekord.

Në fillim të këtij muaji, një “Birkin” e zezë, e nënshkruar nga vetë Jane Birkin, u shit në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” për 2.9 milionë dollarë, shumë më lart se vlerësimi maksimal prej 440 mijë dollarësh. Në muajin korrik, çanta e saj origjinale "Birkin" ishte shitur po në “Sotheby’s” për 10 milionë dollarë.

 

“Birkin” e zezë, e nënshkruar nga vetë Jane Birkin, u shit në shtëpinë e ankandeve “Sotheby’s” për 2.9 milionë dollarë, ne fillim të këtij muaji. Fotografi nga Associated Press
Në muajin korrik, çanta  origjinale e Jane Birkin u shit në “Sotheby’s” për 10 milionë dollarë.

Megjithatë, përtej këtyre rasteve të rralla dhe shumë të veçanta, çmimet e përgjithshme të “Birkinit” dhe “Kellyt” në ankande kanë nisur të bien.

Bernstein ka analizuar të ashtuquajturin “premium rishitjeje”, pra diferencën mes çmimit të ankandit dhe çmimit fillestar në dyqan. Për shembull, një premium 1.5 do të thotë që një çantë e blerë fillimisht për 10 mijë dollarë është shitur për 15 mijë dollarë.

Sipas të dhënave, ky premium mesatar për “Birkinin” dhe “Kellyn” ka rënë nga 2.2 në vitin 2022 në vetëm 1.4 herë në muajin nëntor. Modeli “Birkin Togo 30” sot po shitet mesatarisht me të njëjtin çmim si në dyqan, pa asnjë fitim shtesë, ndërsa në vitin 2022 shitej me 70 për qind më shumë dhe në vitin 2018 me 90 për qind më shumë.

Ekspertët e mallrave luksoze thonë se konsumatorët e ashtuquajtur “aspirues”, ata që ëndërrojnë të blejnë produkte luksoze, po përballen me presione të reja nga inflacioni dhe ngadalësimi i tregut të punës. Kjo do të thotë më pak blerës për çanta Birkin në ankande.

Po ashtu, rritja e numrit të çantave të dorës së dytë në treg dhe shtimi i platformave që shesin mallra luksoze të përdorur po ushtrojnë presion mbi çmimet.

“Ka pasur një zgjim nga euforia pas Covidit. Tani po kthehemi në normalitet pas atij shpërthimi”, ka thënë Luca Solca, analist i mallrave luksoze në Bernstein.

Megjithatë, shumica e çantave “Birkin” dhe “Kelly” ende shiten mbi çmimin fillestar, çka tregon se kërkesa vazhdon të jetë më e lartë se oferta. Shumë blerës janë të gatshëm të paguajnë më shumë vetëm për të shmangur procesin e ndërlikuar dhe pritjet e gjata që “Hermès” ka për blerjen e këtyre çantave në dyqan.

Në një raport të Rebag, platformë që shet çanta luksoze të përdorura, theksohet se “Hermès” ka “dominuar kategorinë e çantave” në vitin 2025, me tetë modele që janë shitur mbi çmimin fillestar. Sipas këtij raporti, çantat “Birkin” janë shitur mesatarisht me 22 për qind mbi çmimin e dyqanit.

Edhe pse çmimet e rishitjes janë stabilizuar në dy vitet e fundit dhe nuk kanë ndjekur rritjen e çmimeve në dyqan, ato gati janë dyfishuar krahasuar me vitin 2015.

Sipas Solcas, edhe nëse çmimet në ankande bien, pozita e “Hermèsit” në botën e luksit mbetet e pathyeshme.

“Ajo që ka rëndësi është renditja në mendjen e konsumatorëve. Unë e shoh ‘Hermèsin’ qartësisht në vendin e parë”, ka thënë ai.