A mundet ushqimi që konsumoni para gjumit t’jua ndryshojë ëndrrat? Kjo ka qenë pyetja që ka bërë një studim i fundit.
I publikuar në revistën “Frontiers in Psychology”, ky studim ka treguar se 40.2 për qind e pjesëmarrësve kanë raportuar se zakonet e ushqimit u kanë ndikuar në gjumë.
Studimi mori për bazë të dhënat online të 1082 studentëve, që e mbushën databazën me përvojat e tyre nga janari deri në prill të vitit 2023. Studimi ka pasur pyetje për një sërë grupe ushqimesh, përfshirë produktet e qumështit, ëmbëlsirat, frutat e mishin.
Rreth 25 për qind e pjesëmarrësve në studim kanë thënë se të paktën një nga këto grupe ushqimesh ua ka bërë gjumin më të parehatshëm dhe rreth 20 për qind e tyre kanë thënë se një grup ushqimi ua ka përmirësuar gjumin. Ëmbëlsirat, ushqimi djegës dhe produktet e qumështit (përfshirë jogurtin dhe djathin), kryesisht fajësoheshin për gjumë më të parehatshëm. Frutat, çajet e bimëve dhe perimet konsideroheshin si ushqimet që kanë ndikuar për gjumë më të mirë.
Të pyetur për ëndrrat që kanë parë, 5.5 për qind kanë thënë se ushqimi u ka ndikuar në to. Makthet u atribuoheshin kryesisht ushqimeve të ëmbla me rreth 31 për qind dhe produkteve të qumështit me 22 për qind.
“Edhe pse ende nuk kemi prova thelbësore se këto të dhëna që lidhen me ushqimin dhe ëndrrat në fakt janë të sakta, ka dëshmi që sugjerojnë se mund të jenë të sakta”, kanë theksuar autorët, duke iu referuar hulumtimeve të mëhershme mbi efektin që ushqimet kanë në gjumë.
Autorët kanë konstatuar se rezultatet sugjerojnë që lidhja mes produkteve të qumështit dhe ëndrrave jo të rehatshme, mund të jetë për shkak të shqetësimit gastrointestinal të shkaktuar nga intoleranca ndaj laktozës.
“Kjo analizë mbështet idenë se simptoma si fryrja, ngërçet dhe gazrat, që lidhen me disa ushqime të caktuara, mund të ndikojnë negativisht në ëndrra”, kanë thënë autorët.