Nëse ndiheni të lodhur pas drekës, ekspertët thonë se një sy gjumë i shkurtër mund t’ju ndihmojë të rifitoni energjinë, të përmirësoni përqendrimin dhe humorin. Por koha kur flini është po aq e rëndësishme sa edhe vetë gjumi, ka shkruar EatingWell.
Sipas ekspertëve të gjumit, koha ideale për një sy gjumë është mes orës 13:00 dhe 15:00. Një gjumë prej 10 deri në 30 minutash në këtë periudhë ndihmon organizmin të rikuperohet pa ndikuar në gjumin e natës.
“Nëse do të zgjidhja një periudhë ideale, do të rekomandoja orët e para të pasdites. Kur bëhet në kohën e duhur, një sy gjumë rrit energjinë, përmirëson funksionin e trurit dhe cilësinë e jetës”, ka thënë dietologia Danielle Smiley.
Studimet tregojnë se një sy gjumë i shkurtër mund të rrisë vigjilencën dhe përqendrimin, përmirësojë kujtesën dhe të nxënit, rrisë produktivitetin, përmirësojë humorin, ndihmojë trupin dhe muskujt të rikuperohen pas aktivitetit fizik.
Ekspertët theksojnë se gjumi i ditës nuk duhet të zëvendësojë gjumin e natës.
Edhe
Gabimet që s'duhet bërë për një gjumë të shëndetshëm
Për shëndet më të mirë rekomandohet të flini dhe të zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë, të ushtroheni rregullisht, të kufizoni kafeinën dhe alkoolin në mbrëmje, si dhe të krijoni një rutinë qetësuese para gjumit.
“Gjumi cilësor nuk ndodh rastësisht, ai është rezultat i zakoneve të mira që krijoni çdo ditë”, ka thënë Smiley.