Një ilaç kundër epilepsisë, i miratuar prej kohësh nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), mund ta parandalojë sëmundjen e Alzheimerit para se ajo të fillojë.
Në një studim të ri të publikuar në revistën shkencore Science Translational Medicine, studiues nga Northwestern University zbuluan se ilaçi levetiracetam mund të bllokojë krijimin e një proteine toksike në tru që lidhet drejtpërdrejt me Alzheimerin, ka raportuar SciTechDaily.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër dekada me radhë, dihej se Alzheimeri shoqërohet me grumbullimin e fragmenteve të dëmshme të proteinës beta-amiloid në tru. Por nuk ishte e qartë se ku dhe si krijoheshin këto fragmente.
Ekipi u përqendrua te një formë e rrezikshme, e quajtur amyloid-beta 42. Ata zbuluan se kjo proteinë grumbullohet brenda qeskave të vogla të neuroneve (qelizave nervore), të cilat ndihmojnë trurin të dërgojë sinjale.
Kur studiuesit trajtuan modelet eksperimentale me levetiracetam, një ilaç i përdorur gjerësisht kundër krizave epileptike, ata vunë re se prodhimi i amyloid-beta 42 u bllokua. Kjo do të thotë se zinxhiri i zhvillimeve që çon në formimin e pllakave amiloide mund të ndalet që në fillim.
“Ndërsa shumë nga ilaçet aktuale për Alzheimerin pastrojnë pllakat që tashmë janë formuar, ne kemi identifikuar një mekanizëm që parandalon prodhimin e amyloid-beta 42 dhe formimin e pllakave. Rezultatet tona hapin rrugë për objektiva të rinj terapeutikë”, ka thënë Jeffrey Savas, profesor i neurologjisë në Northwestern University.
Pse është e rëndësishme koha?
Sipas Savas, ndërhyrja duhet të ndodhë shumë herët.
“Nuk mund ta marrësh këtë ilaç kur tashmë ke demencë, sepse truri ka pësuar ndryshime të pakthyeshme dhe shumë qeliza kanë vdekur. Mund të jetë e nevojshme që trajtimi të fillojë shumë, shumë herët”, ka thënë ai.
Studiuesit po shqyrtojnë mundësinë që ilaçi të përdoret te personat me rrezik të lartë, përfshirë ata me forma të trashëguara të Alzheimerit dhe personat me sindromën Down. Mbi 95 për qind e personave me sindromën Down zhvillojnë një formë të hershme dhe agresive të Alzheimerit rreth moshës 40 vjeçe.
Çka tregojnë të dhënat ekzistuese?
Duke qenë se levetiracetam është tashmë i miratuar dhe përdoret për epilepsi, studiuesit analizuan të dhënat mjekësore të pacientëve me Alzheimer. Ata zbuluan se pacientët që kishin marrë levetiracetam kishin një vonesë domethënëse, disa vite, midis diagnozës së rënies së aftësive njohëse dhe vdekjes, krahasuar me pacientët e tjerë.
“Megjithëse ndryshimi ishte relativisht i vogël, kjo analizë mbështet efektin pozitiv të levetiracetam për të ngadalësuar përparimin e patologjisë së Alzheimerit”, ka thënë Savas.
Çka pritet më tej?
Studiuesit kanë theksuar se levetiracetam nuk është ilaç perfekt, pasi largohet shpejt nga organizmi.
Tani ata po punojnë për versione të përmirësuara që do të vepronin më gjatë dhe më saktë kundër mekanizmit që çon në formimin e pllakave në tru.