Shkencëtarët në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (MIT) kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të krijuar dy antibiotikë të rinj, të aftë për të zhdukur gonorrenë rezistente ndaj barnave dhe bakterin vdekjeprurës MRSA. Barnat, të dizajnuara atom pas atomi nga AI, kanë funksionuar me sukses në teste laboratorike dhe te kafshët, por ende kanë nevojë për vite zhvillimi dhe prova klinike para se të përdoren te pacientët, ka raportuar BBC.
“Jemi të entuziazmuar sepse tregojmë që inteligjenca artificiale gjenerative mund të përdoret për të dizajnuar antibiotikë krejtësisht të rinj. AI mund të na ndihmojë të krijojmë molekula shpejt dhe me kosto të ulët, duke zgjeruar arsenalin tonë dhe duke na dhënë përparësi në këtë betejë kundër super-baktereve”, ka thënë profesori James Collins nga MIT.
Antibiotikët janë thelbësorë për të luftuar bakteret, por përdorimi i tepruar ka bërë që shumë prej tyre të bëhen rezistentë, duke shkaktuar mbi një milion vdekje në vit. Për dekada, prodhimi i antibiotikëve të rinj ka qenë i kufizuar.
Ekipi i MIT ka trajnuar AI-në duke i dhënë struktura kimike të komponimeve të njohura dhe të dhëna mbi efektin e tyre tek bakteret. Më pas, AI dizajnoi barna të reja për gonorrenë dhe MRSA-në, duke shmangur çdo ngjashmëri me antibiotikët ekzistues dhe duke filtruar substanca të mundshme toksike.
Barnat më premtuese u testuan në baktere dhe minj të infektuar, duke rezultuar në dy molekula të reja potenciale.
Por, doktori Andrew Edwards nga Imperial College London, ka theksuar se ani pse kjo ka “potencial të jashtëzakonshëm”, nevojitet ende punë e vështirë për të testuar sigurinë dhe efektivitetin.
Sipas profesorit Chris Dowson nga University of Warwick, studimi është një hap i rëndësishëm përpara në përdorimin e AI-së për të zbuluar antibiotikë dhe për të luftuar rezistencën ndaj tyre.
Por ai ka paralajmëruar për sfidat ekonomike, pasi që antibiotikët e rinj do të duhej të përdoren sa më pak për të ruajtur efektin e tyre, gjë që i bën financiarisht më pak tërheqës për kompanitë farmaceutike.