Sipas një studimi të ri që është prezantuar në Berlin, konsumimi i vetëm një pije të ëmbëltuar, mund të rrisë rrezikun për sëmundjen e mëlçisë joalkoolike (NAFLD) për 50 për qind, ka raportuar CNN. E studimi ka treguar se konsumimi i një kënaçeje në ditë të pijeve dietike rrit rrezikun për sëmundje të tillë deri në 60 për qind.
Sëmundja e mëlçisë joalkoolike ndodh kur dhjami mblidhet në mëlçinë e njerëzve që nuk konsumojnë shumë alkool. Dëmi mund te jetë i ngjashëm me atë që shihet tek njerëzit që konsumojnë shumë alkool apo ata që kanë cirrozë, dëmtim të avancuar të mëlçisë, si dhe kancer të mëlçisë.
Kjo gjendje, e cila po ashtu njihet si sëmundje metabolike e mëlçisë së yndyrshme jo-alkoolike (MASLD), është një nga shkaktarët kryesorë të kancerit të mëlçisë. Vlerësohet se rastet me NAFLD janë rritur për 50 për qind në SHBA në tri dekadat e fundit. Në ditët e sotme 38 për qind e popullsisë e ka këtë situatë.
“Pijet me sheqer kanë qenë nën vëzhgim, ndërkohë që versioni ‘dietik’ i tyre shpesh shihet si zgjedhje më e shëndetshme”, ka thënë autorja e studimit Lihe Liu, studente e diplomuar në departamentin e gastroenterologjisë në First Affiliated Hospital e Soochow University në Suzhou të Kinës.
Ajo ka thënë se ky studim tregon se edhe pijet që përmbajnë pak sheqer, në të vërtetë janë të lidhura me rrezik më të lartë për MASLD, edhe në konsumim të vogël, si për shembull konsumimi i vetëm një kënaçeje në ditë.
Konsumimi i pijeve “dietike” ishte i lidhur me rrezik më të lartë për vdekje nga sëmundja e mëlçisë, sipas studimit që u prezantua në Berlin në konferencën e përvitshme të United European Gastroenterology Week.
“Këto gjetje sfidojnë perceptimin e shpeshtë që këto pije nuk janë të dëmshme, duke vënë në pah nevojën për të rimarrë në konsideratë rolin e tyre në dietën e përditshme e në shëndetin e mëlçisë, sidomos pasi MASLD, është bërë shqetësim për shëndetin në mbarë botën”, ka thënë Liu.
Si ndikojnë në mëlçi lëngjet e ëmbla
Studimi ka ndjekur të dhënat e 124 mijë njerëzve, pa sëmundje të mëlçisë, të marra nga UK Biobank. Lloji dhe frekuenca e konsumit të pijeve të ëmbla u vlerësua nga një pyetësor në lidhje me dietën brenda 24 orëve për 10 vjet.
Përveç lidhjes mes dietës dhe pijeve të gazuara me sheqer me sëmundjen jo-alkoolike të mëlçisë, studimi zbuloi se pjesëmarrësit që zëvendësuan pijet me ujë e ulën rrezikun me gati 13 për qind për pijet me sheqer dhe mbi 15 për qind për pijet dietike. Kalimi nga pijet me sheqer te pijet dietike (ose anasjelltas) nuk e uli rrezikun.
Studimi ofron “prova të drejtpërdrejta se dietat ndikojnë në MASLD dhe kundërshton një analizë të mëparshme që kishte sugjeruar se pijet dietike mund të zëvendësonin ujin”, ka thënë Sajid Jalil, profesor i asociuar i gastroenterologjisë dhe hepatologjisë në Stanford University School of Medicine në Californi. Ai nuk ka qenë i përfshirë në studim.
“Studimi tregoi se si pijet e gazuara, si ato të zakonshme ashtu edhe ato dietike, mund ta dëmtojnë mëlçinë me kalimin e kohës, ndërsa zgjedhja e ujit ose pijeve pa sheqer mund ta mbrojë. Për mua ky studim ka shumë më tepër peshë se studimet e mëparshme, për shkak të dizajnit të tij prospektiv, numrit të madh të pjesëmarrësve, testit të verifikuar për diagnozën e MASLD dhe ndjekjes afatgjatë”, ka thënë Jalil.
Pse pijet me sheqer dhe ato dietike kanë ndikim të tillë në mëlçi?
“Në pijet me sheqer, përmbajtja e lartë e tij shkakton rritje të shpejtë të nivelit të glukozës dhe insulinës në gjak, gjë që mund të nxisë shtimin në peshë”, ka thënë Liu.
Teprica e sheqerit gjithashtu mund të çojë në grumbullim të yndyrës në mëlçi.
Liu ka shtuar se edhe pse kanë pak kalori, pijet dietike mund të ndikojnë në shëndetin e mëlçisë përmes disa rrugëve të tjera.
Sipas saj, ato mund ta ndryshojnë mikrobiomën e zorrëve, të ndërhyjnë në ndjesinë e ngopjes, të rrisin dëshirën për ushqime të ëmbla dhe madje të stimulojnë sekretimin e insulinës. Ndërsa uji, përkundrazi, e hidraton trupin pa ndikuar në metabolizëm, ndihmon në ngopje dhe mbështet funksionin e përgjithshëm metabolik.
“Prandaj, ulja e rrezikut është e ngjashme pavarësisht se cila pije me ëmbëltues zëvendësohet, kjo tregon se uji është pija më e shëndetshme që mund të zgjidhet”, ka thënë Liu.