Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Lëngu numër një për shëndetin e zorrëve

Lëngjet

Lëngu i qershisë

Ani pse zakonisht rekomandohet që frutat të konsumohen të plota dhe jo në formë lëngu, një mjek thotë se ekziston një përjashtim që mund të jetë i dobishëm sidomos për shëndetin e zorrëve.

Sipas gastroenterologut Joseph Salhab, një nga lëngjet më të mira për sistemin tretës është lëngu i qershive të tharta, i cili sipas studimeve mund të sjellë disa përfitime për shëndetin, përfshirë edhe për zorrët, ka shkruar EatingWell.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nuk jam adhurues i shumicës së lëngjeve të frutave. Shpesh gjatë përpunimit hiqen shumë nga përbërësit e dobishëm që fruta i ka natyrshëm,” ka thënë Salhab.

Megjithatë, ai ka theksuar se bën një përjashtim për lëngjet që janë të pasura me antioksidantë dhe polifenole, si lëngu i qershive të tharta, boronicës së kuqe dhe boronicës së zakonshme.

“Bakteret e zorrëve mund t’i përdorin polifenolët për të prodhuar përbërës që luftojnë inflamacionin në zorrë”, ka shpjeguar Salhab.

Sipas tij, lëngu i qershive të tharta është veçanërisht i dobishëm sepse përmban shumë përbërës bimorë si antocianina dhe acide klorogjenike. Këto substanca në disa studime janë lidhur me uljen e shenjave të inflamacionit te personat që kanë probleme me inflamim në zorrë.

Ky lëng nuk është i dobishëm vetëm për sistemin tretës. Salhab ka thënë se ai e konsumon shpesh edhe në mbrëmje.

“E pi edhe natën sepse është një burim natyral i melatoninës”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo substancë mund të ndihmojë në përmirësimin e gjumit.

Mjeku rekomandon që lëngu të hollohet me ujë të ftohtë ose me akull, për ta bërë një pije më të lehtë dhe hidratuese.

Ai këshillon gjithashtu që të zgjidhet gjithmonë lëng 100 për qind natyral dhe jo koncentrat.

“Lëngjet mund të kenë shumë kalori, prandaj nuk duhet të teprohet me to. Mund ta përgatisni vetë ose të zgjidhni një variant pa sheqer të shtuar”, ka thënë Salhab.

Sipas ekspertëve, konsumimi i tepërt i sheqerit të shtuar mund të shkaktojë probleme si lodhje kronike, etje të tepruar dhe shtim në peshë. Ndërsa sheqernat natyrale që gjenden në fruta shpesh shoqërohen me vitamina, fibra dhe përbërës të tjerë ushqyes që janë të dobishëm për organizmin.