Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Më pak internet, më shumë intelekt, epoka e “influencerëve” që lexojnë

Dua Lipa, po shihet gjithnjë e më shumë si një nga figurat më të fuqishme për bashkëpunime me brende të mëdha

Dua Lipa, po shihet gjithnjë e më shumë si një nga figurat më të fuqishme për bashkëpunime me brende të mëdha

Në vitin e fundit, rrjetet sociale janë mbushur me përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale dhe rekomandime të përsëritura pafund, duke favorizuar shpejtësinë dhe sasinë mbi përmbajtjen me vlerë. Për shumë përdorues, sidomos për gjeneratën Z (personat e lindur ndërmjet viteve 1997 dhe 2012), ndjesia është se çdo video po përpiqet t’u shesë diçka.

Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, po shihet gjithnjë e më shumë si një nga figurat më të fuqishme për bashkëpunime me brende të mëdha, jo vetëm për shkak të famës dhe stilit, por edhe për profilin e saj intelektual.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ajo ka ndërtuar një imazh që shkon përtej muzikës, duke u pozicionuar si një artiste e informuar dhe e angazhuar me kulturën, sidomos përmes platformës së saj Service95, ku shpesh ndan libra, ide dhe perspektiva mbi botën.

Ky dimension i saj, si lexuese dhe kuratore e përmbajtjes, po e bën më të besueshme dhe më tërheqëse për brende të mëdha, të cilat sot kërkojnë figura që jo vetëm promovojnë produkte, por edhe komunikojnë vlera dhe mendim.

Në këtë mënyrë, Lipa përfaqëson pikërisht modelin e ri të “influenceres intelektuale”, që ndërton ndikim përmes dijes po aq sa përmes imazhit.

Në një shkrim të publikuar në pretigjiozen Vogue, gazetari i pavarur, Markiel Magsalin, ka shkruar se në këtë realitet të ri algoritmik po shfaqet një kategori e re krijuesish: “influencerët intelektualë”.

Këta dallohen sepse nuk bazohen te pamja apo stili, por te ekspertiza, njohuritë dhe interesat e thella në fusha të caktuara.

Në vitin 2023, një kompani e parashikimit të trendeve, The Future Laboratory, ka parashikuar rritjen e këtij grupi.

Sot, platforma si Substack dhe Discord, si dhe komunitete si #BookTok, e kanë sjellë këtë fenomen në qendër të vëmendjes.

Një lloj i ri ndikimi në kulturë dhe modë

Ky ndryshim ka tërhequr vëmendjen edhe të industrisë së modës.

Për shembull shkrimtarja Zara Wong ka bashkëpunuar me brendin “July”, udhëheqësja e një podcasti, Vivian Tu ka punuar me platformën Depop, udhëheqësi tjetër i një podakasti, Jay Shetty, ka marrë pjesë në ngjarje të brendit të mirënjohur të veshjeve “Dior” dhe "shkrimtari i internetit”, Jack Edwards, është bërë pjesë e ngjarjeve të brendit tjetër të famshëm të veshjeve “Valentino” dhe ka marrë rol redaktorial në revistën Esquire.

Zara Wong

Sipas Magsalin, kjo tregon një ndryshim të madh: influencuesit nuk shihen më vetëm si persona që promovojnë produkte, por si njerëz që ndikojnë në mënyrën si interpretohet kultura.

“Anti-slop” dhe kërkesa për përmbajtje me kuptim

“Anti-slop” është një term joformal që përdoret në internet për të përshkruar një qëndrim kundër përmbajtjes së dobët dhe sipërfaqësore që prodhohet në masë.

Ekspertët thonë se kjo rritje është edhe një reagim ndaj lodhjes nga përmbajtja sipërfaqësore.

“Në një kohë të mbingarkuar me anti-intelektualizëm dhe përmbajtje të shpejtë, krijuesit intelektualë po bëjnë diçka kundër rrjedhës”, ka thënë studiuesi i kulturës Agus Panzoni.

Ndërkohë, strategia për kreativitet Eve Lee ka theksuar se audienca sot kërkon “vlerë dhe mendim të informuar”, jo vetëm reklama.

Sipas saj, njerëzit janë bërë shumë më skeptikë ndaj influencuesve që duken thjesht si “zgjatim” i marketingut të brendeve.

Njohuria si “hapësirë në komunitet”

Sipas ekspertëve, kërkimi i dijes nuk është më aktivitet individual, por social. Klubet apo grupet për leximin e librave, hapësirat për lexim dhe diskutim po bëhen vendtakime të reja për të rinjtë.

Si po ndryshon mënyra e bashkëpunimit me brendet?

Në vend që të bëjnë thjesht reklama, influencuesit intelektualë po trajtohen si bashkë-krijues.

Për shembull, në platformën Depop, disa krijues analizojnë historinë e modës dhe e lidhin me produktet e platformës, duke i dhënë kontekst kulturor.

Sipas drejtueses së marketingut Stephanie Dolgins, këta krijues nuk janë thjesht promovues, por “interpretojnë kulturën për audiencën”.

Roli i kontekstit kulturor

Ekspertët theksojnë se sot nuk mjafton më vetëm dukshmëria.

Sipas analizave të industrisë, audiencat kërkojnë perspektivë, analizë e kuptim kulturor.

Pa këto elemente, përmbajtja shihet si e cekët.

Kjo po shihet si ndryshim i qëndrueshëm, pasi sipas ekspertëve trendi i ri tregon se ndikimi në internet nuk matet më vetëm se sa viral mund të jetë një postim apo sa shikime ka, por me cilësinë e mendimit që ofrohet.

Në një botë ku përmbajtja prodhohet lehtë, vlera e vërtetë po bëhet aftësia për ta interpretuar atë.

Sa i përket modës dhe trendëve, Magsalin ka shkruar se ajo që po ndryshon nuk është thjeshtë ai që ka ndikim, por çka pritet të bëjë ai ndikim. Vizualja ka ende rëndësi, por pa perspektivë, po duket sikur s’ka përmbajtje.