Studim i ri, që u publikua në Pediatrics, ka treguar se mjekët pediatër mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut që fëmijët e vegjël të zhvillojnë alergji ndaj kikirikëve, nëse ndjekin udhëzimet e fundit për parandalimin e alergjive dhe përdorin mjete të thjeshta në praktikë, si video-trajnime, udhëzime për prindërit dhe kujtesa elektronike në sistemet shëndetësore.
Studimi ka zbuluar se “përkrahja e pediatërve me trajnime, udhëzime elektronike dhe materiale edukative për prindërit përmirësoi ndjeshëm aftësinë e tyre për të këshilluar familjet për futjen e hershme të kikirikëve në ushqimin e foshnjës”.
Sipas studimit, futja e ushqimeve që përmbajnë kikirik në dietën e foshnjës në muajt e parë të jetës e ul rrezikun për zhvillimin e alergjisë ndaj tyre deri në 80 për qind, duke iu referuar një prove klinike të vitit 2015 në Britani.
Mjekja kryesore korrespondente në ABC News, doktoresha, Tara Narula, e ka shpjeguar këtë gjetje në emisionin Good Morning America.
“Ky studim ka analizuar nëse ndërhyrjet në praktikat pediatrike, përmes video-trajnimeve, materialeve për prindërit, edukimit në regjistrat elektronikë mjekësorë dhe kontrollit të ekzemës, mund të përmirësonin këshillimin që u jepet familjeve”, ka thënë Narula.
Sipas të dhënave të Pediatrics (2018), alergjitë ushqimore prekin rreth 8 për qind të fëmijëve në SHBA, ndërsa rreth 2 për qind e tyre kanë alergji ndaj kikirikëve. Kjo përbën rritje të madhe krahasuar me fundin e viteve ’90, kur ishte vetëm 0.4 për qind, sipas një studimi të vitit 2015 nga Journal of Allergy and Clinical Immunology.
“Dikur besohej se nëse dyshoje se fëmija mund të kishte alergji ndaj kikirikëve, duhej shmangur dhënia e tyre derisa të bëhej më i madh. Por një studim i rëndësishëm në vitin 2015 e ndryshoi këtë qasje, duke treguar se futja e hershme e ushqimeve me kikirik midis 4 dhe 6 muajsh mund të ulte rrezikun për alergji me më shumë se 80 për qind”, ka thënë Narula.
Megjithëse udhëzimet e reja janë në fuqi që nga viti 2017, Narula shtoi se “vetëm rreth 20-30 për qind e pediatërve e promovojnë ende këtë praktikë për ekspozim të hershëm”.
Studimi i fundit u zhvillua në 30 klinika pediatrike në Illinois, duke përfshirë 18 mijë fëmijë, për të parë nëse trajnimi shtesë i ndihmon mjekët t’u përmbahen më mirë udhëzimeve.
“Sipas rezultateve, rreth 84 për qind e fëmijëve morën këshillimin e duhur në grupin me ndërhyrje, krahasuar me vetëm 35 për qind në grupin tjetër, një dëshmi se trajnimi e përmirëson ndjeshëm aftësinë e pediatrit për t’u dhënë prindërve mesazhin e saktë”, ka thënë Narula.
Udhëzimet aktuale i ndajnë fëmijët në tri grupe:
-Rrezik i ulët: pa ekzemë ose alergji ndaj vezëve, kikirikët mund të futen në meny në çdo kohë;
-Rrezik mesatar: me ekzemë të lehtë, mund të futen rreth moshës 6 muajsh;
-Rrezik i lartë: me ekzemë të rëndë ose alergji ndaj vezëve, duhet të testohen për antitrupa IG dhe të konsultohen me alergolog para futjes së kikirikëve në meny.
Autorja kryesore e studimit, doktoresha Ruchi Gupta nga Universiteti Northwestern, ka theksuar rëndësinë e përkrahjes për mjekët.
“Vizitat pediatrike në muajt 4 dhe 6 janë shumë të ngarkuara, prandaj kjo lloj mbështetjeje është e rëndësishme që familjet të marrin udhëzime të qarta. Shpresa jonë është që këto biseda t’i ndihmojnë prindërit të ndihen të sigurt kur prezantojnë produktet me kikirik herët. Duam të kthejmë prapa trendin e rritjes së alergjive ushqimore në SHBA përmes parandalimit”, ka thënë Gupta.