Mjekët në Mbretëri të Bashkuar po tentojnë t’i pastrojnë infeksionet e rrezikshme të superbaktereve duke përdorur “pilula jashtëqitjeje” që përmbajnë fekale të thara të ngrira, raporton “BBC”.
Mostrat e jashtëqitjeve vijnë nga donatorë të shëndetshëm dhe janë të mbushura me baktere të mira.
Të dhënat e hershme sugjerojnë se superbakteret mund të largohen nga thellësitë e errëta të zorrëve dhe të zëvendësohen me një përzierje të baktereve të shëndetshme të zorrëve.
Është një qasje e re për t’i luftuar infeksionet që mund t’i rezistojnë antibiotikëve, që mendohet se vrasin afro një milion persona në vit.
Fokusi është te zorrët të cilat janë “rezervuari më i madh i rezistencës ndaj antibiotikëve te njerëzit”, tha doktori Blair Merrick, që ka testuar pilulat në spitalet “Guys” dhe “St. Thomas”
Superbakteret rezistente ndaj ilaçeve mund të dalin nga “shtëpia” e tyre te zorrët dhe të shkaktojnë probleme diku tjetër në trup – siç janë infeksionet e traktit urinar ose infeksione të qarkullimit të gjakut.
“Pra, ka shumë interes në ‘a mund t’i largoni ato nga zorrët?’”, thotë doktori Merrick.
Ideja e “pilulave jashtëqitjeje” nuk është aq e pabesueshme sa mund të duket. Transplantet fekale, janë miratuar tashmë për trajtimin e diarresë së rëndë të shkaktuar nga bakteret “Clostridium difficile”.
Por, shkencëtarët vunë re se transplantet fekale për C.difficile duket se gjithashtu i eliminojnë superbakteret.
Hulumtimet janë bërë te pacientët që kishin pasur në gjashtë muajt e fundit një infeksion të shkaktuar nga bakteret rezistente ndaj ilaçeve.
Atyre iu dhanë pilula të bëra nga jashtëqitje që njerëzit i kishin dhuruar.
Çdo mostër jashtëqitjeje testohet për t’u siguruar që nuk përmban asnjë bakter të dëmshëm, ushqimi i patretur hiqet dhe më pas ngrihet dhe thahet në pluhur.
Kjo ruhet brenda një pilule që mund të kalojë nëpër stomak pa u dëmtuar dhe të arrijë në zorrë ku tretet për ta lëshuar ngarkesën e saj të jashtëqitjes në formë pluhuri.
Prova është zhvilluar me 41 pacientë në spitalet “Guy’s” dhe “St. Thomas’” në Londër për t’i hedhur themelet për një studim të shkallës më të gjerë.
Tregoi se pacientët ishin të gatshëm për ta marrë pilulën dhe bakteret e dhuruara ishin ende në zorrë të tyre të paktën një muaj më vonë.
Studimi po ashtu ka treguar se grupi i baktereve të zorrëve bëhet më i larmishëm pas terapisë.
“Kjo është shenjë e mirë dhe mund të jetë duke nxitur rezistencën ndaj kolonizimit, kështu që është më e vështirë që bakteret e reja infektive të hyjnë”, tha doktori Merrick.