Lifestyle

AI-ja mund t’i kursejë pacientët nga kimioterapia e panevojshme

Kimioterapia

Foto: Associated Press

Inteligjenca artificiale (AI) mund të ndryshojë mënyrën se si trajtohet kanceri i zorrës së trashë, duke ndihmuar që disa pacientë të shmangin kimioterapinë e panevojshme ose ta marrin atë vetëm kur është vërtet e domosdoshme, ka shkruar EuroNews.

Prej dekadash, mjekët analizojnë mostrat e indeve të kancerit me mikroskop, por kjo metodë ndonjëherë nuk arrin të dallojë shenja të imëta që tregojnë sa agresiv është tumori dhe sa shpejt mund të përhapet.

Kompani norvegjeze, “DoMore Diagnostics”, po përdor AI-në për të analizuar kancerin kolorektal, (të zorrës së trashë), në mënyrë shumë më të detajuar sesa mund ta bëjë syri i njeriut me mikroskop. Qëllimi është vlerësimi më i saktë i rrezikut dhe shmangia e trajtimeve të rënda që nuk sjellin përfitim real për pacientin.

“Ne e personalizojmë trajtimin e kancerit duke shfrytëzuar fuqinë e inteligjencës artificiale. Edhe pse ka pasur përmirësime të mëdha në trajtimin e kancerit vitet e fundit, ende ka shumë pacientë që marrin trajtime toksike pa asnjë përfitim”, ka thënë drejtori ekzekutiv i kompanisë, Torbjorn Furuseth.

Kanceri i zorrës së trashë është kanceri i tretë më i shpeshtë dhe i dyti më vdekjeprurës në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vetëm në Evropë, në vitin 2022 janë regjistruar rreth 2.74 milionë raste të reja me kancer.

Sipas Furuseth, algoritmi i kompanisë është trajnuar me mijëra mostra të indeve.

“Me inteligjencën artificiale dhe sasi të mëdha të dhënash, kemi krijuar një algoritëm jashtëzakonisht të specializuar”, ka thënë ai.

“DoMore Diagnostics” ka dalë nga një bashkëpunim studimor mes Universitetit të Oksfordit, Spitalit Universitar të Oslos dhe University College London (UCL).

Kompania ka deklaruar se teknologjia e saj është treguar më e saktë sesa patologët në parashikimin e ecurisë së sëmundjes.

“Nuk e dimë saktësisht se çfarë po kërkon inteligjenca artificiale, por kur i krahasojmë rezultatet e saj me vlerësimet e patologëve, shohim se ato kanë kuptim. Ajo dallon shumë nga karakteristikat që shohin edhe patologët, por gjithashtu kombinon informacione dhe zbulon gjëra që ata mund të mos i njohin ende”, ka thënë Andreas Kleppe, drejtor i studimit në Spitalin Universitar të Oslos.

Kjo saktësi më e lartë i ndihmon mjekët të vendosin se cilët pacientë kanë vërtet nevojë për kimioterapi dhe cilët mund ta shmangin atë në mënyrë të sigurt.

Pas operacionit, kur tumori është hequr, disa pacientë mund të kenë ende metastaza shumë të vogla, të padukshme, që mund të shkaktojnë rikthimin e sëmundjes. Për këtë arsye, analiza e rrezikut është një hap shumë i rëndësishëm.

Megjithatë, shumica e pacientëve me kancer të zorrës së trashë shërohen vetëm me operacion. Pavarësisht kësaj, kimioterapia shpesh u jepet pothuajse të gjithëve, si një qasje e përgjithshme, edhe pse në shumicën e rasteve nuk sjell përfitim dhe vetëm i ekspozon pacientët ndaj efekteve anësore afatshkurtra dhe afatgjata.

Sipas kompanisë, 96 deri në 98 për qind e pacientëve me kancer në fazën e dytë dhe rreth 80 për qind e atyre në fazën e tretë përjetojnë efekte anësore nga kimioterapia pa përmirësim real të rezultateve.

“Të kuptosh saktësisht se kush ka rrezik të lartë dhe kush rrezik të ulët për përhapje të kancerit është shumë e vështirë për njeriun, sepse bëhet fjalë për procese jashtëzakonisht komplekse”, ka thënë Furuseth.

Si funksionon teknologjia?

Sistemi i “DoMore Diagnostics” trajnohet me mijëra imazhe të indeve të kancerit dhe me të dhëna mbi gjendjen e pacientëve disa vite pas operacionit.

“Ne i japim kompjuterit këto imazhe dhe më pas rezultatet e pacientëve pas disa vitesh. Kështu, ai mëson lidhjen mes tyre. Ne nuk mbështetemi te vlerësimi i patologut, por te përfundimi real i sëmundjes”, ka shpjeguar Kleppe.

Kjo u jep mjekëve një pasqyrë shumë më të saktë për agresivitetin e kancerit dhe ndihmon në marrjen e vendimeve më të drejta për trajtimin.

Testi i kompanisë për kancerin e zorrës së trashë po përdoret aktualisht për verifikim në spitale në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoni dhe Meksikë.