Lifestyle

Mostrat e vjetra të tumoreve pritet të tregojnë arsyen e rritjes së rasteve me kancer te të rinjtë

Kanceri i zorrës së trashë

Kanceri i zorrës së trashë

Mostra të kancerit të zorrës së trashë, të ruajtura deri në një shekull më parë, po analizohen nga shkencëtarët për të kuptuar pse kjo sëmundje po shfaqet gjithnjë e më shpesh te të rinjtë.

Ani pse shumica e rasteve të kancerit të zorrës së trashë ende diagnostikohen te personat e moshuar, rritja e rasteve te të rinjtë është vërejtur në mbarë botën. Në Britani, normat e këtij kanceri janë rritur me 75 për qind te personat nën moshën 24 vjeç që nga fillimi i viteve ’90, por shkencëtarët ende nuk e dinë saktësisht pse, ka raportuar BBC.

Në bodrumin e spitalit St Mark’s, Spitali Kombëtar i Zorrës së Trashë, ndodhet një arkiv unik me dhjetëra mijëra mostra kanceri të ruajtura ndër dekada. Këto mostra tani po i nënshtrohen analizave të avancuara shkencore, për të kuptuar çfarë e ka shkaktuar secilin rast kanceri dhe çfarë ka ndryshuar me kalimin e kohës.

 

Bodrumi i spitalit St Mark’s

Holly, 27 vjeçe, është një nga gjithnjë e më shumë të rinjtë që përballen me këtë sëmundje. Fryrja e barkut dhe humbja në peshë fillimisht iu atribuuan sindromës së zorrës së irrituar, derisa gjendja e saj u përkeqësua aq shumë sa përfundoi në urgjencë.

Holly, fotografi nga BBC

Aktorja e re u diagnostikua me kancer të avancuar të zorrës së trashë kur ishte vetëm 23 vjeçe dhe iu nënshtrua një trajtimi shumë agresiv.

“Kimioterapia intensive më ndikoi në mënyra që nuk e kisha imagjinuar kurrë”, ka treguar ajo, duke shtuar se “gjëja më e vështirë ishte ta pranoja që… jeta nuk do të ishte më e njëjtë”.

Sot, Holly jeton me stomë (një hapje e krijuar me operacion në bark, përmes së cilës jashtëqitja del nga trupi në një qese speciale që ngjitet në lëkurë) dhe ka nevojë për kontrolle të rregullta mjekësore. Ajo është pa kancer prej më shumë se tre vjetësh dhe po planifikon dasmën e saj, por thotë se ka ditë kur diagnoza në një moshë kaq të re e bën të ndihet e shkatërruar emocionalisht.

“Gjithçka duket shumë e padrejtë dhe mendoj: pse unë?”, ka thënë ajo.

As shkenca ende nuk ka një përgjigje të qartë.

Si faktorë të mundshëm janë përmendur obeziteti, ushqimet shumë të përpunuara, përdorimi i antibiotikëve, ndryshimet në bakteret e zorrëve, ndotja e ajrit dhe mikroplastikat.

“Kanceri i zorrës së trashë te personat nën moshën 50 vjeç po rritet në mbarë botën, përfshirë edhe Britaninë, dhe po bëhet një problem gjithnjë e më i madh. Ne duhet të zhvillojmë mënyra për t’i parandaluar këto kancere në mënyrë efektive”, ka thënë doktori Kevin Monahan, gastroenterolog në spitalin St Mark’s.

Doktori Kevin Monahan, gastroenterolog në spitalin St Mark’s.

Në Britani, rastet janë rritur me 51 për qind te grupmosha 25-49 vjeç që nga fillimi i viteve ’90, ani pse shumica e rasteve ende shfaqen te personat më të moshuar.

Sipas Monahan, arkivat përmbajnë mostra nga çdo pacient me kancer të zorrës së trashë i trajtuar në këtë spital, duke e bërë këtë koleksion “burim unik, ndoshta i pakrahasueshëm në botë”, për të zbuluar shkaqet e sëmundjes te të rinjtë.

Mostrat e kancerit dhe bakteret përkatëse të zorrëve janë ruajtur në dyllë parafine dhe tani po dërgohen në Institutin për Kërkime mbi Kancerin (ICR), ku po analizohen në nivel molekular, diçka që ka qenë e pamundur deri vonë.

Mostrat e kancerit dhe bakteret përkatëse të zorrëve janë ruajtur në dyllë parafine

Shkaqe të ndryshme të kancerit lënë “gjurmë” të ndryshme në ADN-në e qelizave që bëhen kancerogjene. Duke ndjekur se sa shpesh shfaqen këto gjurmë me kalimin e kohës, shkencëtarët shpresojnë të zbulojnë shkakun kryesor të rritjes së rasteve te të rinjtë.

Profesori Trevor Graham nga ICR ka thënë se një nga hipotezat kryesore lidhet me një lloj të veçantë bakterie E. coli.

“Ideja jonë kryesore është se ekziston një lloj i caktuar i E. colit që jeton në zorrët e të rinjve sot dhe që nuk ishte i pranishëm në të kaluarën”, ka shpjeguar ai.

Mendohet se këto baktere çlirojnë toksina që dëmtojnë ADN-në e indeve të zorrës, duke i shndërruar ato në kancerogjene. Kjo ngre edhe pyetjen pse këto baktere janë më të përhapura sot.

“Nëse këto ‘mikrobe të këqija’ janë shkaku i rritjes, duhet të shohim që gjurmët e dëmtimit të tyre të kenë qenë të rralla në të kaluarën dhe të bëhen gjithnjë e më të shpeshta sa më shumë i afrohemi ditëve të sotme… por ne mund të testojmë edhe ide të tjera”, ka thënë Graham.

Trevor Graham

Pavarësisht shkakut përfundimtar, ai i ka përshkruar arkivat si një “thesar të vërtetë”.

“Mendoj se përgjigjja mund të jetë pikërisht në këtë dhomë”, ka përfunduar ai.