Një studim i ri ka zbuluar se ecja e shpejtë, madje edhe për tre minuta në ditë, mund të ulë rrezikun e zhvillimit të më shumë se 10 llojeve të kancerit.
Studimi i botuar në JAMA Oncology, u referohet të dhënave të mbledhura nga aktiviteti i mbi 22 mijë personave, shkruan CNBC.
Ata të cilët zhvilluan ecje të shpejta, si vrapimi për në autobus ose nxitimi në shkallë, për vetëm tre deri në katër minuta në ditë kishin rreth 30% më pak shanse për të vdekur nga disa lloje të kancerit, krahasuar me njerëzit që nuk nxitonin fare kur udhëtonin në këmbë.
Kjo vlente edhe për njerëzit që nuk ushtronin.
"Ata e quajtën atë ‘aktivitet fizik të vrullshëm', kështu që ata nuk ishin duke thënë në mënyrë specifike ushtrime. Mendoj se kjo është një pikë e rëndësishme", thotë Tracy Crane, drejtore e Digital Health and Lifestyle Medicine for Cancer Survivorship, në “Sylvester Comprehensive Cancer Center” të Universitetit të Miamit.
Sipas Crane, standardi i rekomanduar për rezultatet më të mira shëndetësore është 150 minuta aktivitet fizik në javë. Por ajo thotë se jo të gjithë janë në gjendje të bëjnë kaq shumë ushtrime në rutinën e tyre javore.
“Gjëra të vogla si ngjitja e shkallëve dhe parkimi më larg destinacionit tuaj mund të jenë shumë të dobishme për sa i përket parandalimit të kancerit. Veçanërisht nëse i bëni ato me një intensitet më të lartë", thotë Crane.