Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Sfidimi i trurit ndihmon kundër demencës

Mendja aktive

Ekspertët shpesh këshillojnë ta “ushtroni trurin” për të ulur rrezikun e demencës.

Por sipas studimeve të fundit, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është ajo që shkencëtarët e quajnë “shtrirje e trurit”, pra ta sfidoni vazhdimisht mendjen me aktivitete të ndryshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një fjalëkryq çdo ditë mund t’ju bëjë shumë të mirë në zgjidhjen e fjalëkryqeve, por studiuesit thonë se shumëllojshmëria e aktiviteteve mendore është më e rëndësishme për shëndetin e trurit.

Një studim i publikuar në revistën shkencore Neurology ka lidhur rrezikun më të ulët për Alzheimer dhe rënien e aftësive mendore me të ashtuquajturin “mësim gjatë gjithë jetës”.

Kjo përfshin aktivitete që stimulojnë mendjen si leximi, shkrimi, mësimi i një gjuhe të re, loja e shahut, zgjidhja e puzzleve ose vizitat në muze, ka shkruar ScienceAlert.

“Këto aktivitete janë si një lloj ‘shtrirjeje’ për trurin dhe mënyrën si mendoni. Ju përdorni sisteme të ndryshme të mendimit”, ka shpjeguar neuropsikologia Andrea Zammit nga Rush University Medical Center në Chicago.

Nuk është vonë për të filluar

Edhe nëse nuk keni pasur shumë aktivitete që stimulojnë trurin në rini, ekspertët thonë se nuk është vonë për të filluar.

Sipas studiuesve, mosha e mesme është një periudhë shumë e rëndësishme për të mbrojtur shëndetin e trurit.

Aktivitetet që mund të ndihmojnë përfshijnë:

-mësimin e muzikës

-vëzhgimin e zogjve në natyrë

-lojërat që stërvitin trurin

-leximin dhe diskutimin e librave

“Nuk është vetëm një aktivitet. Është më e rëndësishme të gjeni diçka që ju pëlqen dhe ta bëni rregullisht”, ka thënë Zammit.

Shëndeti fizik ndikon drejtpërdrejt në tru

Ekspertët theksojnë se shëndeti i trupit është i lidhur ngushtë me shëndetin e trurit.

Prandaj rekomandohet:

-aktivitet fizik i rregullt

-kontrolli i tensionit të gjakut

-gjumë i mirë

-vaksinat në moshë të rritur

Specialisti për Alzheimer nga Mayo Clinic, Ronald Petersen, paralajmëron se nuk ekziston një mënyrë magjike për të parandaluar plotësisht demencën.

“Ndryshimet në stilin e jetës mund të ndihmojnë të ngadalësohet përkeqësimi i aftësive mendore”, ka thënë ai.

Çka është “rezerva e aftësive njohëse”?

Studimi i udhëhequr nga Zammit ka përfshirë rreth 2000 persona nga mosha 53 deri në 100 vjeç, të cilët në fillim nuk kishin demencë. Ata u ndoqën për tetë vjet.

Rezultatet treguan se njerëzit që kishin më shumë aktivitete mendore gjatë jetës u diagnostikuan me Alzheimer mesatarisht pesë vjet më vonë se ata që kishin pasur më pak stimulim mendor.

Shkencëtarët e quajnë këtë “rezervë të aftësive njohëse”.

Kjo do të thotë se të mësuarit dhe aktivitetet mendore forcojnë lidhjet mes neuroneve në tru, duke e bërë atë më rezistent ndaj dëmtimeve që vijnë nga mosha ose sëmundjet.

Edhe studime të tjera e mbështesin këtë ide

Studime të tjera kanë treguar se aktivitete si:

-luajtja e një instrumenti muzikor

-programet online për stërvitjen e trurit

-ushtrimet që përmirësojnë shpejtësinë e reagimit

mund të ndihmojnë në ruajtjen e aftësive mendore.

Sipas studiueses Jessica Langbaum nga Banner Alzheimer’s Institute, aktivitetet që kërkojnë reagim të shpejtë dhe mendim aktiv janë shumë të dobishme.

Ajo sugjeron, për shembull, pjesëmarrjen në një klub leximi, sepse kombinon leximin, diskutimin dhe kontaktin social.

Hapat e tjerë për të ulur rrezikun e demencës

Ekspertët theksojnë se shumë probleme shëndetësore në moshën e mesme mund të rrisin rrezikun për demencë në pleqëri.

Për shembull:

-tensioni i lartë dëmton enët e gjakut dhe ul qarkullimin e gjakut në tru

-diabeti i pakontrolluar mund të shkaktojë inflamacion në tru

Për këtë arsye rekomandohet:

-aktivitet fizik i rregullt

-dietë e pasur me fruta dhe perime

-shmangia e mbipeshës

-kontrollimi i diabetit, tensionit dhe nivelin e yndyrës së dëmshme në gjak

Një hap shtesë që po tërheq vëmendjen e studiuesve është vaksina kundër herpes zoster (zona).

Përveç parandalimit të këtij infeksioni të dhimbshëm, disa studime tregojnë se njerëzit e vaksinuar mund të kenë edhe rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës.