Shkencëtarët e “Stanford Medicine” kanë thënë se kanë arritur të shërojnë diabetin e tipit 1 te minjtë, pa përdorur insulinë dhe pa terapi që shtyp sistemin imunitar.
Në këtë studim të ri, që u publikua në Journal of Clinical Investigation, ata përdorën një qasje që e quajnë “rindërtim” ose “rivendosje” të sistemit imunitar, ka raportuar SchiTechDaily.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoÇka bënë studiuesit?
Diabeti i tipit 1 ndodh kur sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e pankreasit që prodhojnë insulinë. Si pasojë, trupi nuk arrin të rregullojë nivelin e sheqerit në gjak.
Në këtë studim, shkencëtarët transplantuan te kavjet dy lloje qelizash nga një donator:
- qeliza staminale të gjakut
- qeliza të pankreasit që prodhojnë insulinë
Donatori nuk ishte i përputhur plotësisht nga ana imunitare me marrësin, diçka që zakonisht rrit rrezikun e komplikimeve.
Megjithatë, kjo qasje funksionoi në dy drejtime:
- Riktheu prodhimin e insulinës.
- “Riedukoi” sistemin imunitar që të mos sulmonte më qelizat e reja.
Asnjë nga minjtë nuk zhvilloi sëmundjen e rrezikshme “graft-versus-host”, ku qelizat e dhuruara sulmojnë trupin e marrësit. Për gjashtë muajt e eksperimentit, minjtë nuk patën nevojë për injeksione me insulinë dhe as për barna që shtypin imunitetin.
Profesori Seung K. Kim, autor i studimit dhe drejtor i Qendrës për Kërkime mbi Diabetin në Stanford, ka thënë se mundësia që këto gjetje të përkthehen te njerëzit është shumë emocionuese.
“Hapat kryesorë në studimin tonë, që krijojnë një sistem imunitar ‘hibrid’ me qeliza si nga donatori ashtu edhe nga marrësi, tashmë përdoren në klinikë për sëmundje të tjera. Besojmë se kjo qasje mund të jetë transformuese për njerëzit me diabet të tipit 1 apo sëmundje të tjera autoimune, si dhe për ata që kanë nevojë për transplant organesh”, ka shtuar ai.
Si funksionon “sistemi imunitar hibrid”?
Studiuesit krijuan një sistem imunitar të përzier, me qeliza si nga organizmi i marrësit, ashtu edhe nga donatori.
Kjo bëri që sistemi imunitar i ri të mos sulmonte më qelizat që prodhojnë insulinë dhe qelizat e dhuruara të mos sulmonin trupin e marrësit.
Në total 19 nga 19 minj u mbrojtën nga zhvillimi i diabetit dhe 9 nga 9 minj që tashmë kishin diabet të tipit 1 u shëruan.
Për ta bërë transplantin më të sigurt, studiuesit përdorën një përgatitje më të lehtë para transplantimit, me antitrupa, barna dhe rrezatim në dozë të ulët, metoda që tashmë përdoren në mjekësi për transplantin e qelizave staminale të gjakut.
Pse është i rëndësishëm ky zbulim?
Deri tani, transplantet e qelizave staminale përdoren kryesisht për kancere të gjakut si leukemia dhe limfoma, por shpesh kërkojnë kimioterapi dhe rrezatim të fortë, me efekte anësore serioze.
Studiuesit në Stanford kanë zhvilluar një mënyrë më të butë për të përgatitur trupin për transplant, duke e dobësuar përkohësisht palcën e eshtrave vetëm aq sa qelizat e reja të vendosen.
“E dimë prej vitesh se transplantet e qelizave staminale mund të ndihmojnë në shumë sëmundje autoimune. Sfida ka qenë ta bëjmë procesin mjaftueshëm të sigurt, që pacientët të ndihen të qetë ta ndërmarrin”, ka thënë profesoresha Judith Shizuru, bashkautore e studimit.
Çfarë sfidash mbeten?
Ani se rezultatet janë shumë premtuese, ka ende pengesa për përdorim te njerëzit:
-Qelizat e pankreasit merren vetëm nga donatorë pas vdekjes.
-Qelizat staminale të gjakut duhet të vijnë nga i njëjti donator.
-Nuk dihet nëse sasia e qelizave nga një donator mjafton për të kuruar diabetin e avancuar te njerëzit.
Shkencëtarët po punojnë për alternativa, si prodhimi në laborator i qelizave të pankreasit nga qeliza staminale njerëzore, ose metoda për të rritur mbijetesën dhe funksionin e qelizave të transplantuara.
Përveç diabetit, kjo qasje mund të ndihmojë edhe në trajtimin e:
-artritit reumatoid
-lupusit
-anemisë drapërocitare
-transplantit të organeve jo plotësisht të përputhura
“Rivendosja e sigurt e sistemit imunitar për të lejuar zëvendësimin afatgjatë të organeve mund të çojë shpejt në përparime të mëdha mjekësore”, ka thënë Kim.