Shkencëtarët kanë konfirmuar për herë të parë se përdorimi i solariumeve shkakton dëmtime serioze të ADN-së pothuajse në të gjithë sipërfaqen e lëkurës, duke rritur rrezikun për zhvillimin e melanomës deri në tre herë.
Ky zbulim forcon bindjen se nxirja artificiale paraqet rrezik serioz për shëndetin, ka raportuar NewsAtlas.
Studimi, i realizuar nga Northwestern Medicine dhe Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, është bërë në një kohë kur solariumet po përdoren gjithnjë e më shumë nga të rinjtë.
Sipas të dhënave, deri në 40 për qind e vajzave adoleshente dhe 20 për qind e të rinjve të moshës 18-29 vjeç kanë përdorur solarium gjatë vitit të fundit.
Studiuesit kanë analizuar të dhënat e 32.315 pacientëve të dermatologjisë, nga të cilët 7.474 kishin përdorur solarium. Rezultatet treguan se melanoma u diagnostikua te 5.1 për qind e përdoruesve të solariumit, krahasuar me 2.1 për qind te ata që nuk e kishin përdorur. Edhe pasi u morën parasysh faktorë si mosha, gjinia dhe historia familjare, përdorimi i solariumit lidhej me rritje për 2.85 herë të rrezikut për melanomë.
“Në ekspozimin ndaj diellit natyror, rreth 20 për qind e lëkurës pëson dëmtimin më të madh. Te përdoruesit e solariumit, pamë të njëjtat mutacione të rrezikshme pothuajse në të gjithë sipërfaqen e lëkurës”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Pedram Gerami.
Analizat e ADN-së në nivel qelizor treguan se qelizat e lëkurës te përdoruesit e solariumit kishin pothuajse dyfishin e mutacioneve, shpesh të lidhura drejtpërdrejt me melanomën, edhe në zona të trupit që zakonisht nuk ekspozohen në diell.
“Edhe në lëkurë që duket normale, pa nishane, gjetëm ndryshime në ADN që rrisin predispozitën për melanomë. Kjo nuk ishte treguar kurrë më parë”, ka shtuar Gerami.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, solariumet klasifikohen si kancerogjenë të grupit 1, njësoj si duhani dhe alkooli. Megjithatë, pavarësisht kufizimeve në disa shtete dhe vende si Australia dhe Brazili, përdorimi i tyre vazhdon të mbetet i përhapur.
“Është e vështirë të justifikohet pretendimi se solariumet janë më të sigurta se dielli natyror. Ato rrisin mutacionet dhe rrezikun për melanomë, veçanërisht në pjesë të lëkurës që zakonisht marrin pak diell”, thuhet tutje në raportin e studimit.
Melanoma, forma më vdekjeprurëse e kancerit të lëkurës, shkakton rreth 11 mijë vdekje çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.