Lifestyle

Spërkatësit për hundë mund të ndihmojnë në bllokimin e viruseve

Spërkatësi për hundë

Spërkatësi për hundë

Spërkatësit për hundë mund të ndihmojnë në bllokimin e koronavirusit dhe viruseve të tjera, duke ofruar një mënyrë të re mbrojtjeje përveç vaksinave dhe masave të tjera të njohura, ka raportuar The Washington Post.

A funksionojnë spërkatësit për ta parandaluar COVID-19?

Shkencëtarët po studiojnë të paktën dy lloje spërkatësish të hundës. Hunda vlerësohet porta kryesore nga ku hyn koronavirusi në trup.

Njëri prej spërkatësve, i quajtur Profi (Pathogen Capture and Neutralizing Spray, PCANS), krijon një shtresë si xhel që kap pikat e mëdha dhe parandalon bakteret e viruset të arrijnë te shtresa e hundës. Studiuesit në Brigham and Women’s Hospital testuan spërkatësin në një model 3D të hundës njerëzore dhe te minjtë, duke raportuar se ai “bllokoi pothuajse të gjitha mikrobet që shkaktojnë sëmundje, përfshirë koronavirusin”.

Teknologjia është licencuar tashmë te kompania Akita Biosciences, e cila e shet spërkatësin, megjithatë provat te njerëzit ende nuk janë publikuar.

Një tjetër spërkatës, që përmban antihistaminën azelastine, u testua te njerëzit në një studim klinik. Nga 450 pjesëmarrës, gjysma e përdori spërkatësin tre herë në ditë për 56 ditë, ndërsa gjysma tjetër mori placebo. Rezultatet treguan se vetëm 2.2 për qind e atyre që përdorën spërkatësin rezultuan pozitiv me COVID, krahasuar me 6.7% te grupi placebo.

“Ishim të lumtur për rezultatin kryesor, por gjithashtu u intriguam kur pamë se ndoshta edhe viruse të tjera mund të parandalohen nga ky aplikim spërkatësit”, ka thënë profesori Robert Bals nga Universiteti i Saarlandit

Ekspertët theksojnë se spërkatës të tjerë që bllokojnë receptorët H1, njësoj si azelastina, mund të kenë efekte të ngjashme, megjithatë mbetet e paqartë nëse funksionojnë më mirë në përdorim të vazhdueshëm apo vetëm para ekspozimeve të mundshme.

“Ndalimi i virusit në hundë përmes spërkatësve ofron një rrugë premtuese për luftimin e viruseve respiratore dhe parandalimin e sëmundjeve”, ka thënë imunobiologia Akiko Iwasaki nga Universiteti Yale.

Çfarë tjetër duhet ditur?

Përveç spërkatësve, mbrojtja më e sigurt mbetet ajo e provuar shkencërisht:

Vaksinat 

“Vaksinat ende funksionojnë, sidomos për parandalimin e sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe vdekjes”, ka thënë Geeta Sood nga Universiteti Johns Hopkins.

Maskat 

Studimet tregojnë se maskat e vendosura si duhet ulin përhapjen e sëmundjeve respiratore.

Ajri më i pastër

Qëndrimi jashtë ose ventilimi i mirë i hapësirave të brendshme, si dhe përdorimi i pastruesve të ajrit, ndihmon në uljen e rrezikut.