Marrja e paracetamolit gjatë shtatzënisë është e sigurt dhe nuk ka prova se rrit rrezikun për autizëm, ADHD apo çrregullime zhvillimore te fëmijët, thuhet në një studim shkencor të publikuar së fundmi, shkruan BBC.
Ekspertët që qëndrojnë pas studimit thonë se gratë shtatzëna “duhet të ndihen të qetësuara” nga këto gjetje, të cilat bien ndesh me deklaratat kontroverse të presidentit amerikan Donald Trump vitin e kaluar, i cili kishte thënë se paracetamoli “nuk është i mirë” dhe se gratë shtatzëna duhet të “luftojnë fort” për të mos e përdorur atë.
Deklaratat e tij u kritikuan ashpër në atë kohë nga organizata mjekësore në mbarë botën. Sipas ekspertëve, studimi i fundit, i publikuar në një revistë të Lancet, është shumë rigoroz dhe duhet t’i japë fund debatit mbi sigurinë e paracetamolit gjatë shtatzënisë.
Megjithatë, zyrtarë shëndetësorë në SHBA vazhdojnë të pretendojnë se “shumë ekspertë” kanë shprehur shqetësime për përdorimin e tij gjatë shtatzënisë.
Presidenti amerikan tronditi shumë mjekë në mbarë botën kur ai dhe administrata e tij pretenduan se paracetamoli – i njohur në SHBA si acetaminophen dhe i konsideruar si qetësuesi kryesor i dhimbjeve për gratë shtatzëna – mund të lidhej me autizmin te fëmijët, nëse merret gjatë shtatzënisë.
Këto pretendime shkaktuan konfuzion te gratë dhe shqetësim te ekspertët e shëndetit, duke nxitur kryerjen e këtij hulumtimi të ri.
Studimi, i publikuar në The Lancet Obstetrics, Gynaecology & Women’s Health, analizoi 43 nga studimet më të besueshme mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë, që përfshinin qindra mijëra gra. Fokus i veçantë u vu te studimet që krahasonin shtatzënitë ku nëna kishte përdorur paracetamol me ato ku nuk e kishte përdorur. Gjetjet treguan se përdorimi i paracetamolit nuk shkaktoi asnjë ndryshim te gratë që e morën atë, krahasuar me gratë që nuk e përdorën.