Për shumë vite, ideja e sulmit në zemër lidhej me burra dhe dhimbje të forta në gjoks. Por te gratë, shenjat janë shpesh më të fshehta dhe më lehtë mund të neglizhohen, sidomos rreth moshës së mesme, kur bien nivelet e estrogjenit dhe rritet rreziku për zemrën.
“Ka shenja dhe simptoma që shpesh injorohen, sepse nuk lidhen menjëherë me zemrën. Gratë shpesh raportojnë lodhje, frymëmarrje të vështirësuar, probleme me tretjen ose çrregullime gjumi, simptoma që shpesh i atribuohen stresit, moshës apo menopauzës, por që mund të jenë shenja të sëmundjeve të zemrës”, ka shpjeguar Jessica Shepherd, mjeke gjinekologe dhe eksperte e menopauzës, ka raportuar MindBodyGreen.
Pse sëmundjet e zemrës te gratë diagnostikohen vonë
Për dekada, studimet mbi zemrën janë fokusuar kryesisht te burrat. Si pasojë, udhëzimet mjekësore dhe mënyrat e diagnostikimit nuk janë ndërtuar duke pasur parasysh trupin e gruas. Kjo bën që shumë gra të mos marrin këshilla parandaluese, të diagnostikohen me vonesë ose të trajtohen më ngadalë.
Kur rreziku rritet ndjeshëm
Perimenopauza është një pikë shumë e rëndësishme për shëndetin e zemrës. Estrogjeni mbron enët e gjakut dhe ndihmon në parandalimin e bllokimeve. Kur ai bie, rreziku për sëmundje të zemrës rritet, edhe te gratë që nuk duken “tipike” për këtë problem.
“Gratë në moshë të mesme shpesh mbajnë shumë role njëkohësisht, kujdesen për prindërit, fëmijët, karrierën dhe barrën mendore që vjen me to”, ka thënë Shepherd.
Stresi kronik ndikon drejtpërdrejt në zemër duke rritur tensionin, inflamacionin dhe duke prishur gjumin.
Shenjat që nuk duhen injoruar
Gratë mund të përjetojnë sulm në zemër edhe pa dhimbje gjoksi.
Shenjat më të shpeshta përfshijnë:
-lodhje të vazhdueshme pa arsye
-frymëmarrje të vështirë edhe me aktivitet të lehtë
-parehati në qafë ose nofull
-të përziera ose të vjella
-probleme me gjumin
-ndjesi presioni në gjoks
-marramendje
-ënjtje të këmbëve ose shputave
“Sëmundjet e zemrës te gratë nuk ndjekin gjithmonë librin. Edhe analizat ‘normale’ nuk do të thonë gjithmonë se gjithçka është në rregull. Nëse trupi yt të dërgon sinjale se diçka nuk shkon, ato kanë rëndësi”, ka theksuar Shepherd.
Zemra dhe plakja “normale”
Lodhja, ankthi apo pagjumësia shpesh justifikohen si pjesë e plakjes apo e menopauzës, por ndonjëherë ato janë shenja paralajmëruese.
“Ajo që duket si urth mund të jetë në fakt anginë. Është shumë e rëndësishme të dëgjosh trupin dhe të vëresh kur simptomat zgjasin ose përkeqësohen”, ka shpjeguar Shepherd.
Parandalimi fillon me njohjen e faktorëve të rrezikut.
Çdo grua duhet të monitorojë:
-tensionin e gjakut
-sheqerin në gjak
-yndyrat në gjak (LDL, HDL, trigliceridet)
-shenjat e inflamacionit
-rrahjet e zemrës në pushim
“Kujdesi parandalues është thelbësor, por shumë gra e shtyjnë atë, sepse janë gjithmonë të përqendruara te shëndeti i familjes dhe harrojnë veten”, ka thënë Shepherd.
Çka mund të bësh për zemrën
Ekspertët rekomandojnë:
-gjumë të rregullt dhe cilësor
-ushqim të pasur me fibra, perime, peshk dhe vaj ulliri
-aktivitet fizik të përditshëm, përfshirë ecje dhe ushtrime force
-menaxhim të stresit përmes frymëmarrjes, meditimit ose terapisë